Delegacioni i BE-së: Të gjitha ndërtesat e dëmtuara rëndë janë vlerësuar nga inxhinierët strukturorë

2019-12-11 09:23:08 CRI Komenti juaj Printoni

Skuadra të përbëra nga inxhinierë teknikë nën koordinimin e Skuadrës së Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së vijojnë punën në terren së bashku me ekspertët shqiptarë, për të vlerësuar dëmet në ndërtesa dhe infrastrukturën kritike.

Delegacioni i BE-së në Tiranë bën të ditur se të gjitha ndërtesat e dëmtuara rëndë janë vlerësuar nga inxhinierët strukturorë.

Lidhur me gjendjen pas tërmetit të 26 nëntorit në Shqipëri, dje në ambientet e Delegacionit të BE-së, ambasadorët e shteteve anëtare dhe ekipet e Mbrojtjes Civile të BE-së theksuan se duhet të vazhdojë ndihma me logjistikë në zonat rurale.

Gjithashtu, Delegacioni i BE-së thekson se janë shtuar trajnimet e inxhinierëve shqiptarë nga ekspertët ndërkombëtarë.

Menjëherë pas rënies së tërmetit, Bashkimi Europian dhe shtetet anëtare dërguan ekipe kërkim-shpëtimi dhe ndihma materiale. Përmes koordinimit të ekipit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian të vendosur në zonat e prekura, inxhinierë ndërtimi ndërkombëtarë dhe shqiptarë kanë vijuar pa ndërprerje punën në terren për evidentimin e dëmeve në objekte. (ATSH)

Mrekulli
Lajmet Kryesore