Shefi i OKB-së kërkon shtim përpjekjesh kundër ndryshimit të klimës

2019-12-03 19:21:04 CRI Komenti juaj Printoni

Shefi i OKB-së Antonio Guterres bëri thirrje që e gjithë bota të angazhohet në luftën kundër ndryshimit të klimës.

"Deri në fund të dekadës së ardhshme ne do të jemi në njërën nga dy shtigjet. Njëra është rruga e dorëzimit, ku ne ndodhemi në një pikë pa kthim, duke rrezikuar shëndetin dhe sigurinë e të gjithëve në këtë planet. A dëshirojmë vërtetë të mbahemi mend si brezi që neglizhon apo luan ndërsa planeti digjet? Mundësia tjetër është rruga e shpresës, rruga e zgjidhjes, e zgjidhjeve të vazhdueshme. Një shteg ku mbeten më shumë lëndë djegëse fosile atje ku duhet të qëndrojnë, në tokë, dhe ku ne jemi në rrugën e neutralitetit të karbonit deri në vitin 2050."

Guterres i bëri vërejtjet në hapje të konferencës së këtij viti për ndryshimet klimatike në Madrid.

Ai u bëri thirrje të pranishmëve të zgjidhin një çështje shumë të rëndësishme nga Marrëveshja e Parisit: rregullat mbi tregtimin e karbonit, të cilat konsiderohen si jetike për fillimin e veprimit më të shpejtë për të zvogëluar emetimet.

Detyra e forcimit të Marrëveshjes së Parisit ka qenë e ndërlikuar nga një veprim i administratës së presidentit amerikan Donald Trump për tërheqjen zyrtare prej saj.

Delegatët shpresojnë ta përdorin samitin për të injektuar vrull të ri në proces, i cili përballet me një moment të së vërtetës vitin e ardhshëm kur qeveritë do të paraqesin propozime më ambicioze për të pakësuar shkarkimin e gazrave ndotës që ngrohin planetin. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore