Kina ashpërson rregulloren për sigurinë ushqimore

2019-12-02 19:00:43 CRI Komenti juaj Printoni

Rregullorja për Zbatimin e Ligjit mbi Sigurinë Ushqimore do të hyjë zyrtarisht në fuqi këtë muaj. Rregullorja forcon dënimin për shkelje të ligjeve dhe rregullave në përputhje me "katër kërkesa më të rrepta" si standarde më të rrepta, mbikëqyrje më e rreptë, dënim më të rreptë dhe përgjegjësi më të rreptë.

Si rregullore mbështetëse e ligjit të Kinës për Sigurinë Ushqimore, ndryshimet e reja përqendrohen në përmirësimin e parimeve dhe të dispozitave të Ligjit për Sigurinë Ushqimore, forcimin e dënimit për shkeljen e ligjeve dhe rregullave dhe zbatimin e masave të posaçme rregullatore për çështje specifike.

Sipas zëvendësdrejtores së Administratës Shtetërore të Kinës për Mbikëqyrjen dhe Administrimin e Tregut, Sun Meijun, rregulloret kanë shtuar një sistem "ndëshkimi individual", me një gjobë maksimale sa 10-fishi i të ardhurave të tyre vjetore.

"Në të kaluarën, kur janë shfaqur probleme të sigurisë ushqimore, ndëshkimi u jepej kryesisht ndërmarrjeve dhe efekti parandalues ​​nuk ishte i fortë. Rregulloret parashikojnë që përveç penalizimit të ndërmarrjeve, për shkelje të qëllimshme e dashakeqëse dhe me pasoja të rënda të ligjit, përfaqësuesi ligjor i kompanisë, përgjegjësit e drejtpërdrejtë dhe personat e tjerë në ngarkim, duhet të dënohen me gjobë deri në 10-fish të rrogës vjetore që kanë marrë nga ndërmarrja."

Në përgjigje të shqetësimeve të konsumatorëve për sigurinë e ushqimeve që shiten online, rregulloret gjithashtu përcaktojnë qartë se platformat e palëve të treta për transaksione ushqimore në internet kanë për detyrë të mbajnë informacionin e regjistrimit dhe atë të transaksioneve të operatorëve të biznesit të ushqimit në internet.

Gjithashtu, vlen të përmendet se për sa i përket standardeve të sigurisë ushqimore, rregulloret parashikojnë që ushqimet e posaçme si ato shëndetësore apo qumështi pluhur për foshnje nuk janë ushqime karakterisike vendore dhe standardet vendore të sigurisë ushqimore nuk duhet të formulohen për to. (Vera/Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore