Brazili: Rritja e bashkëpunimit me Kinën ka themele të forta

2019-11-14 19:32:38 CRI Komenti juaj Printoni

Pala braziliane ka shprehur besimin se ka themele të forta për rritjen e bashkëpunimit me palën kineze.

Presidenti kinez Xi Jinping ndodhet në Brazilia për samitin e udhëheqësve të ekonomive të mëdha në zhvillim: Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut, të njohura si BRICS. Ambasadori i Brazilit në Kinë, Paulo Estivallet de Mesquita, tha se Brazili është krenar për atë që ka arritur në marrëdhëniet e veta 45-vjeçare me Kinën, që kanë shënuar një rritje të ndjeshme në dy dhjevjeçarët e fundit:

"Ne filluam nga një bazë shumë e ulët, dhe madje deri vonë, 20 vjet më parë, tregtia midis Brazilit dhe Kinës ishte ende 3 miliardë dollarë në vit. Tani është më shumë se 100 miliardë. Pra, ne e kemi 30-fishuar vëllimin e tregtisë në 20 vjetët e fundit. Investimet gjithashtu nisën nga një bazë shumë e ulët dhe shtatë vjet më parë, filluan të rriten. Tani investimet kineze në Brazil janë mbi 70 miliardë dollarë. Në përgjithësi, unë mendoj se ne jemi të kënaqur me atë që është bërë dhe se kemi një bazë të mirë për punën e mëtejshme".

Kina është partnerja më e madhe tregtare e Brazilit. Vjet vëllimi i tregtisë dypalëshe arriti në mbi 100 miliardë dollarë. Bashkëpunimi midis të dy vendeve përfshin tregtinë e lëndëve të para dhe të produkteve bujqësore si soja. Ekonomia më e madhe e Amerikës së Jugut po ashtu ka përfituar nga investimet e bëra nga ndërmarrjet kineze ndër vite. Mesquita theksoi se Brazili synon thellimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë digjitale:

"Natyrisht, ekonomia digjitale është një nga fushat më dinamike. Të dy vendet kanë arritur përparim të konsiderueshëm në këtë fushë. Sigurisht që Kina është një vend lider në pagesat digjitale. Ky është një sektor ku ne kemi nevojë për më shumë bashkëpunim midis qeverive, për të hartuar rregullore kundër monopolit dhe mashtrimit e për mbrojtjen e konsumatorit, dhe gjithashtu për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë ekzistuese".

Ndërsa udhëheqësit e vendeve të BRICS-it takohen në Brazilia, një nga temat kryesore në rendin e ditës do të jenë masat për të stimuluar ekonomitë e tyre në zhvillim përballë ngadalësimit të rritjes ekonomike globale, si edhe për të nxitur multilateralizmin.

Mrekulli
Lajmet Kryesore