Ambasadori kinez, i pranishëm në Forumin e Kryebashkiakëve të Kryeqyteteve "17+1"

2019-10-31 15:48:17 CRI Komenti juaj Printoni

 

Më 25 tetor u mbajt në Tiranë Forumi "17 + 1" në nivel kryebashkiakësh, një nismë e Republikës Popullore të Kinës, e cila synon të rrisë dhe zgjerojë bashkëpunimin me vendet e Europës Qendrore dhe Lindore në fushën e investimeve, transportit, financave, shkencës, arsimit dhe kulturës.

Mes shumë të ftuarve në këtë forum ishin të pranishëm kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, nënkryetari i Bashkisë së Pekinit Lu Yan, ambasadorja dhe përfaqësuesja e posaçme e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës për bashkëpunimin midis Kinës e vendeve të EQL-së Huo Yuzhen dhe kryebashkiakë të kryeqyteteve të vendeve të Europës Qendrore e Lindore. Në këtë event ishte i pranishëm edhe ambasadori kinez në Shqipëri Zhou Ding.

Në fjalën e tij në hapje të forumit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se ky takim ka një rëndësi të veçantë, sepse sipas tij është një forum që krijon një mundësi për të gjithë administratorët e kryeqyteteve të mëdha për të shkëmbyer eksperiencat e tyre si dhe një platformë e rëndësishme që vendet e EQL-së të thellojnë bashkëpunimin me Kinën.

"Në radhë të parë urat e bashkëpunimit me Kinën janë ura që sjellin dije, përmes të cilave mund të këmbehen eksperienca dhe transferohen dije të cilat më pas kthehen edhe në përfitim për vendet, qytetet dhe komunitetet", tha kryeministri i Shqipërisë.

Sipas Ramës çdo lidhje dhe urë bashkëpunimi që ngrihet sot në funksion të rritjes së cilësisë së burimeve njerëzore, është një pikënisje për një rrugë të re në rrugën e së nesërmes.

Punimet e forumit i përshëndeti edhe zëvendëskryetari i Bashkisë së Pekinit, Lu Yan, i cili në fjalën e tij tha se Kina i uron Shqipërisë një zhvillim të madh ekonomik dhe shtoi se "shpresoj që të kemi një bashkëpunim ekonomik dhe kryeqytetet tona të kenë një bashkëpunim në çdo fushë dhe të zhvillohemi së bashku".

"Shpresojmë të kemi një bashkëpunim ekonomik të mirë me vendet pjesëmarrëse në këtë takim. Ne mirëpresim të gjithë vendet pjesëmarrëse të vijnë në Kinë për të studiuar dhe për të investuar", theksoi Lu Yan.

Në mbledhjen e tryezës së rrumbullakët, ambasadori Zhou u shpreh se me nxitjen e nismës "Një brez, një rrugë" dhe të mekanizmit të "Bashkëpunimit 17+1", marrëdhëniet kino-shqiptare patën gjallëri të re. Sivjet, vëllimi i tregtisë dypalëshe u rrit, duke treguar energjinë e fortë dhe potencialin e madh të bashkëpunimit të tregut. Ndërmarrjet kineze kanë zgjeruar vazhdimisht përmasën e investimeve në Shqipëri dhe kanë forcuar zhvillimin e sektorit shqiptar me teknologji të përparuar dhe përvojë të pasur. Kina e mbështet gjithnjë Shqipërinë në nxitjen e reformave të mëtejshme, të përmirësojë mjedisin e biznesit dhe dëshiron që dy palët të arrijnë më shumë rezultate bashkëpunimi.

Në forum u diskutua mbi tema si "qyteti i gjelbër", "planifikimi urban", "qyteti i qëndrueshëm" etj.

Gjatë forumit u organizuan edhe mbledhje për kulturën, turizmin, tregtinë, takimi vjetor i shoqatave të turizmit, seminari për mësimdhënien e gjuhëve të Europës Qendrore e Lindore etj. Në veprimtaritë përkatëse morën pjesë ministri i Turizmit dhe i Mjedisit Blendi Klosi, ministrja e Kulturës Elva Margariti, zv.ministri për Europën dhe Punët e Jashtme Etjen Xhafaj, zv.ministrja e Financave dhe Ekonomisë Dajna Sorensen, zv.Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës Dorina Çinari, dhe zv.ministri i Arsimit, Sportit dhe Rinisë Redi Shtino.

Para hapjes së Forumit, zv.kryetari i bashkisë së Pekinit Lu Yan u takua me kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj. Komiteti i Nxitjes së Tregtisë së Jashtme i Pekinit dhe Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë e Tiranës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi. Nga ana e tyre, Drejtoria e Kulturës dhe e Turizmit e Bashkisë së Pekinit dhe Akademia e Kërcimit e Pekinit përkatësisht organizuan ekspozitë dhe dhanë shfaqje, të cilat u ndoqën edhe nga zv.kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Vasilika Hysi etj. (Fang Xiaoyu/Çang Çuo) 

Mrekulli
Lajmet Kryesore