Ambasadori kinez Zhou Ding merr pjesë në ekspozitën "Autorë shqiptarë për Kinën, autorë kinezë për Shqipërinë"

2019-10-15 16:14:57 CRI Komenti juaj Printoni

Të premten e kaluar u hap në Tiranë ekspozita "Autorë shqiptarë për Kinën, autorë kinezë për Shqipërinë", me rastin e 70-vjetorit të themelimit të marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Shqipërisë. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding, ministrja shqiptare e Kulturës Elva Margariti, kryetari në detyrë i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Vasil Tole, ish-kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Skënder Gjinushi, ish-ministrat e jashtëm Arta Dade e Besnik Mustafaj, sekretari i Komitetit të PKK-së të Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit Wang Dinghua etj.

 

Ekspozita u organizua nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, Shoqata Kulturore Alb-China dhe Universiteti i Gjuhëve të Huaja i Pekinit. Mbi 200 libra në ekspozitë përfshinin fusha të tilla si politika, ekonomia, kultura etj., duke paraqitur rezultatet e shkëmbimeve kulturore midis Kinës e Shqipërisë dhe të përkthimit të ndërsjellë ndërmjet shqipes e kinezishtes. Ndër këto libra, "Xi Jinping: Qeverisja e Kinës", "Antologji e poezisë shqipe" (në dy vëllime) e përgatitur nga përkthyesi kinez i gjuhës shqipe Zheng Enbo, "Konceptet bazë të mendimit dhe kulturës kineze" nga Iljaz Spahiu, dhe "Dritëhijet e një miqësie që çuditi botën" nga Hajdar Muneka për herë e parë shfaqen para lexuesve.

Zhou Ding tha në fjalimin e tij se, duke mbartur kujtesën e përjetshme të njerëzimit e duke vazhduar linjën mendore dhe kulturore të njerëzimit, librat janë ura të rëndësishme komunikimi midis vendeve, kombeve dhe qytetërimeve të ndryshme. Ekspozita, e hapur me rastin e 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Shqipërisë, ka domethënie të rëndësishme. Veprat në ekspozitë pasqyrojnë përpjekjet dhe mençurinë e autorëve dhe përkthyesve të shumtë kinezë e shqiptarë dhe përbëjnë një pasuri të përbashkët shpirtërore të dy popujve. Veprat e shkrimtarit shqiptar Dritëro Agolli të përkthyera në gjuhën kineze dhe ato të shkrimtarit kinez Mo Yan të përkthyera në gjuhën shqipe kanë ndikuar disa breza lexuesish të të dy vendeve. "Në të ardhmen shpresojmë që më shumë të rinj kinezë e shqiptarë të punojnë për shkëmbimet kulturore-njerëzore, duke shkruar faqet e reja të miqësisë kino-shqiptare", tha ambasadori Zhou.

 

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë Elva Margariti u shpreh se librat u ofrojnë popujve rastin që të lidhen me njëri-tjetrin. Historia e shkëmbimeve midis Kinës e Shqipërisë është e gjatë. Në fushën e botimeve janë arritur rezultate të pasura, duke i lidhur më ngushtë të dy vendet dhe të dy popujt. Znj. Margariti shfaqi besimin se brezi i ri do të trashëgojë miqësinë mes dy vendeve.

Sekretari i Komitetit të PKK-së të Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit Wang Dinghua u shpreh se projekti i përkthimit të ndërsjellë të librave ndërmjet Kinës e Shqipërisë, që filloi në vitin 2015, po zhvillohet me sukses. Ai shprehu dëshirën që të forcohet bashkëpunimi mes shkollave të larta, institucioneve kërkimore dhe shtëpive të botimit të Kinës e Shqipërisë, për të dhënë më shumë kontribut për lidhjen ndërmjet popujve të dy vendeve dhe shkëmbimet kulturore. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore