Meta dekoron me titullin "Naim Frashëri" dy albanologë kinezë

2019-10-15 16:02:17 CRI Komenti juaj Printoni

Më 11 tetor, presidenti Ilir Meta dekoroi me titullin "Naim Frashëri" dy personalitete të shquara kineze, profesorin Zheng Enbo dhe gazetarin Wang Hongqi, gjatë një ceremonie të zhvilluar në Institucionin e Kreut të Shtetit për kontributin e tyre në nxitjen e zhvillimit të marrëdhënieve kino-shqiptare dhe shkëmbimeve njerëzore midis dy vendeve.

Në këtë ceremoni ishte i pranishëm ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding, i cili përfaqësoi edhe z. Wang.

Presidenti Meta e vlerësoi z. Zheng Enbo për veprimtarinë si albanolog kinez për më shumë se gjysmë shekulli, me përkushtim të përhershëm ndaj trashëgimisë shpirtërore të popullit shqiptar dhe si promovues i letërsisë, gjuhës dhe kulturës shqiptare në Kinë e në botë.

Ndërsa për z. Wang Hongqi, kreu i shtetit theksoi një kontribut të veçantë si gazetar, si albanolog dhe studiues i lartë i çështjeve shqiptare, me një karrierë të gjatë rreth 22-vjeçare si gazetar i agjencisë 'Xinhua' në Tiranë dhe si njohës i shquar i çështjes shqiptare përgjatë zhvillimit të saj, duke shërbyer si urë për komunikimin e vlerave të dy popujve tek njëri-tjetri.

Presidenti shprehu bindje se aktivitete si nderimi reciprok i figurave më të spikatura me kontribute të shquara në bashkëpunimin shqiptaro-kinez do të vazhdojnë të ruajnë dhe thellojnë më tej marrëdhëniet miqësore tradicionale midis dy vendeve dhe popujve, do të nxisin shkëmbimet ndërshtetërore, ekonomike, kulturore e njerëzore mes dy popujve, duke u shërbyer interesave të përbashkëta të dy vendeve.

Z. Zheng Enbo dhe përfaqësuesi i z. Wang Hongqi iu hodhin një vështrim lidhjeve të ngushta me Shqipërinë dhe thanë se kjo do të jetë ditë e paharrueshme në jetën e tyre dhe se do të vazhdojnë të japin kontribut për bashkëpunimin kino-shqiptar dhe për miqësinë midis dy popujve.

Ambasadori Zhou Ding e falënderoi presidentin Meta për organizimin e kësaj ceremonie me rastin e 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve dhe tha se kjo mishëron plotësisht ndjenjat miqësore të qeverisë dhe popullit shqiptar për popullin kinez.

Titulli "Naim Frashëri" është një dekoratë nderi e Republikës së Shqipërisë që u jepet qytetarëve shqiptarë dhe të huaj, punonjësve të shkencës, artit, kulturës dhe arsimit për vepra dhe veprimtari të çmuara.

Mrekulli
Lajmet Kryesore