Wuhan, do të zhvillohen Lojërat Ushtarake Botërore

2019-10-14 21:00:40 CRI Komenti juaj Printoni

Edicioni i 7-të i Lojërave Ushtarake Botërore do të hapet këtë të premte në qytetin Wuhan të Kinës Qendrore. Gjatë 10 ditëve do të krijohet një platformë për shkëmbimet miqësore midis ushtrive të ndryshme.

Në këtë edicion të Lojërave Ushtarake Botërore do të konkurrohet në 27 sporte, si qitje, not, atletikë, basketboll etj. dhe pesë prej tyre janë sporte të veçanta ushtarake. Sekretari i përgjithshëm i Komitetit Ekzekutiv të këtij edicioni Guo Jianzhong bëri të ditur:

"Lojërat Ushtarake Botërore karakterizohen nga garat ushtarake, si pesëgarëshi ushtarak, pesëgarëshi i forcave detare, pesëgarëshi i forcave ajrore, orientimi dhe parashutimi. Këto sporte vijnë nga stërvitjet reale të ushtrisë. Në fakt, këto sporte karakteristike kanë më shumë forcë tërheqëse."

Lojërat Ushtarake Botërore, që zhvillohen një herë në katër vjet, janë veprimtaria sportive komplekse e nivelit më të lartë e ushtarakëve të mbarë botës. Në këtë edicion do të marrin pjesë sportistë ushtarakë të mbi 100 vendeve. Krahas numrit të pjesëmarrësve, edhe niveli i konkurrencës i afrohet nivelit të Lojërave Olimpike. Trajnerja e ekipit të notit të Qendrës së Stërvitjes së Sporteve Ushtarake të Kinës He Cihong u shpreh:

"Kësaj here do të vijnë 56 sportistë të huaj që morën pjesë në Kampionatin Botëror të Notit në korrik të këtij viti. Ata janë nga Brazili, Franca, Polonia dhe Italia."

Në vitin 1948 Belgjika, Danimarka, Luksemburgu, Franca dhe Holanda formuan bashkërisht Këshillin Ndërkombëtar të Sporteve Ushtarake. Në vitin 1995 u zhvillua në Romë edicioni i parë i Lojërave Ushtarake Botërore dhe edicionet e mëvonshme u organizuan përkatësisht në Kroaci, Itali, Indi, Brazil dhe Korenë e Jugut. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore