Liria e fjalës, jo pretekst për të fyer ndjenjat kombëtare

2019-10-10 09:59:19 CRI Komenti juaj Printoni

Komentet e bëra në "Twitter" nga menaxheri i përgjithshëm i "Houston Rockets", Daryl Morey, në mbështetje të trazirave të dhunshme në Hong-Kong, kanë shkaktuar debate të mëdha në Kinë. Situata u përkeqësua kur Komisionari i NBA-së Adam Silver mbrojti komentet, duke pretenduar se Morey thjesht po ushtronte "lirinë e shprehjes" së tij. Por liria e fjalës nuk është absolute, ajo nuk mund të përfshijë fjalët që sfidojnë sovranitetin kombëtar dhe stabilitetin shoqëror të Kinës, dhe argumenti i dhënë nga Morey dhe Silver tregon përbuzjen e tyre për popullin kinez.

Duke u shprehur në lidhje me postimin e Morey në "Twitter" në Tokio, Silver tha se "vlerat e barazisë, respektit dhe lirisë së shprehjes kanë qenë për një kohë të gjatë tipare të NBA-së". Por barazia dhe respekti duhet të jenë të ndërsjella, dhe deri më tani Morey nuk ka treguar respekt për sovranitetin dhe dinjitetin kombëtar të Kinës në fjalët e tij për Hong-Kongun, dhe Silver nuk arriti të veprojë në frymën e barazisë duke u përpjekur të mbrojë kolegun e tij të NBA-së nga kritikat.

 

 

Silver gjithashtu ka adoptuar një standard të dyfishtë kur bëhet fjalë për lirinë e fjalës. Ai tha se NBA-ja "nuk do ta vendosë veten në një pozicion të tillë që të rregullojë atë që thonë ose nuk thonë lojtarët, punonjësit dhe pronarët e ekipeve". Por kur ish-pronari i "Los Angeles Clippers", Donald Sterling, bëri vërejtje raciste gjatë një grindjeje me të dashurën e tij në vitin 2014, ai u ndalua për jetë nga NBA-ja, u gjobit 2.5 milionë dollarë dhe u detyrua të shesë ekipin. Vetë Silver njoftoi vendimin e NBA-së për këtë çështje. Por kur bëhet fjalë për abuzimin e sovranitetit të Kinës, Silver ka zgjedhur të miratojë një standard tjetër për lirinë e fjalës.

Si liga e parë sportive amerikane e futur në tregun e Kinës, NBA ka gëzuar sukses të madh në Kinë gjatë tre dekadave të fundit. Ajo është bërë gjithashtu një urë komunikimi mes popujve të të dy vendeve. Por këto lidhje tani janë në rrezik, pasi partnerët lokalë të NBA-së, përfshirë kanalin sportiv të CCTV-së të Grupit Mediatik të Kinës dhe "Tencent"-i e kanë pezulluar bashkëpunimin me NBA-në.

Roma nuk u ndërtua brenda një dite, por u dogj brenda një dite. Nëse NBA-ja dëshiron të rregullojë marrëdhëniet e saj të dëmtuara me Kinën dhe tifozët kinezë të basketbollit, duhet të rishqyrtojë respektin ndaj sovranitetit të Kinës. Siç theksoi të martën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, "mungesa e njohurive për mendjet dhe zemrat e popullit kinez, ndërsa përpiqesh të krijosh komunikim dhe bashkëpunim, nuk mund të funksionojë."

Mrekulli
Lajmet Kryesore