Kina dhe Kazakistani vendosin të zhvillojnë partneritetin e gjithanshëm dhe të përhershëm strategjik

2019-09-12 10:46:39 CRI Komenti juaj Printoni

Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping zhvilloi bisedime të mërkurën në Pekin me presidentin e Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev, që bëri vizitën e parë në Kinë. Krerët e dy vendeve vendosën njëzëri që, duke u nisur nga shpirti i mbështetjes ndaj njëri-tjetrit dhe i bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta, të zhvillojnë partneritetin e gjithanshëm dhe të përhershëm strategjik midis Kinës dhe Kazakistanit.

Xi Jinping-u tha se gjatë 70 vjetëve, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste të Kinës, populli kinez ka arritur suksese të mëdha që kanë tërhequr vëmendjen e mbarë botës dhe po hedh hapa drejt objektivit të rilindjes së kombit kinez. Kina e qëndrueshme, e hapur dhe e lulëzuar do t'i japë gjithmonë botës raste për zhvillimin e ardhshëm.

Kreu i shtetit i Kinës vuri në dukje se marrëdhëniet kino-kazakistanase shërbejnë si shembull i fqinjësisë së mirë. "Gjatë 27 vjetëve pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, marrëdhëniet ndërmjet Kinës dhe Kazakistanit kanë ndjekur një rrugë të jashtëzakonshme dhe kanë arritur shumë rezultate të shkëlqyera. Në situatën e re, këto marrëdhënie duhet të çohen në një nivel më të lartë. Dëshiroj të shpall së bashku me zotin president, që të dyja palët do të zhvillojnë partneritetin e gjithanshëm dhe të përheshëm strategjik, duke u nisur nga shpirti i mbështetjes së njëri-tjetrit dhe i bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta," u shpreh ai.

Presidenti Xi tha gjithashtu se pala kineze është e gatshme të thellojë bashkëpunimin e gjithanshëm me Kazakistanin, të konkretizojë lidhjen e nismës së Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit me politikën e re ekonomike të Kazakistanit "Rruga e Ndritshme", të forcojë ndërlidhshmërinë midis dy vendeve, të nxitë bashkëpunimin më cilësor ekonomiko-tregtar, veçanërisht bashkëpunimin në kapacitetet prodhues dhe në novacionin shkencor, dhe të shtojë shkëmbimet njerëzore.

Xi Jinping-u theksoi se Kina dhe Kazakistani duhet të shprehin qartazi qëndrimin për mbrojtjen e multilateralizmit dhe të ekonomisë së hapur botërore, që të japin kontribut për ndërtimin e një sistemi të qeverisjes globale më të barabartë, më të drejtë dhe më të arsyeshme. Të dyja palët duhet të nxisin Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait të luajë një rol më të madh në rajon dhe në çështjet ndërkombëtare, për të përballuar bashkërisht sfidat nga forcat e terrorizmit, të separatizmit dhe të ekstremizmit fetar.

Presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev shprehu urime të ngrohta për 70-vjetorin e shpalljes së Republikës Popullore të Kinës.

Ai tha se Reforma e Hapja e Kinës u kanë sjellë mundësi të mira Kazakistanit dhe vendeve të tjera. Vendi i tij përkrah me vendosmëri qeverinë e popullin kinez në mbrojtjen e sovranitetit kombëtar, sigurisë dhe të interesave të zhvillimit. Pala kazakistanase është e gatshme të nxitë zhvillimin e mëtejshëm me palën kineze, me rastin e vendosjes së partneritetit të gjithanshëm dhe të përhershëm strategjik mes dy vendeve.

Tokayevi shtoi se pala kazakistanase ndihet e nderuar që kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping e paraqiti nismën e ndërtimit të përbashkët të Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit para gjashtë vjetëve në Kazakistan dhe vuri në dukje që kjo nismë ka rëndësi të madhe për zhvillimin rajonal e botëror. Ai tha se vendi i tij shpreson të ketë shkëmbime më të ngushta me palën kineze dhe të shtojë bashkëpunimin pragmatik ekonomiko-tregtar, infrastrukturor, energjetik, tekniko-shkencor, njerëzor dhe lidhur me teknologjinë 5G, në kornizën e nismës "Një brez, një rrugë". Të dyja palët do të thellojnë edhe bashkërendimin në mbrojtjen e sigurisë rajonale dhe në kundërshtimin e ndërhyrjes së jashtme.

Xi Jinping-u dhe Tokayev-i firmosën edhe deklaratën e përbashkët Kinë-Kazakistan dhe ishin të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të disa marrëveshjeve ekonomike dypalëshe. (Wang Lei)

Mrekulli