Merkeli: Jemi të përgatitur për çfarëdo rezultati lidhur me "Brexit"-in

2019-08-19 11:02:01 CRI Komenti juaj Printoni

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka bërë të ditur se do të takohet me kryeministrin britanik Boris Johnson për të diskutuar largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian, duke shtuar se Berlini është i përgatitur edhe për një "Brexit" pa marrëveshje.

"Javën tjetër unë do të jem në Biarritz, në fundjavën e G7-s. Atje ne do të flasim edhe për çështje ndërkombëtare. Ndërsa këtë javë, të mërkurën në mbrëmje, kryeministri britanik do të vijë për vizitë dhe ne do të diskutojmë. Duhet të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje të mira. Jemi të përgatitur për çdo rezultat, edhe sikur të mos arrijmë një marrëveshje. Por në të gjitha veprimtaritë do të bëj përpjekje për të gjetur zgjidhje - deri në ditën e fundit të negociatave. Unë mendoj se është gjithmonë më mirë të largohemi me një marrëveshje sesa pa një të tillë. Por nëse kjo nuk është e mundur, do të jemi të përgatitur edhe për këtë alternativë," u shpreh shefja e qeverisë gjermane.

Në udhëtimin e vet të parë si kryeministër, Johnson-i do të takojë liderët botërorë përpara një samiti të G7-s në Francë.

Mbretëria e Bashkuar po shkon drejt një krize kushtetuese brenda vendit dhe një përballjeje me BE-në, pasi Johnson-i vazhdimisht është zotuar për t'u larguar nga Unioni më 31 tetor, me ose pa marrëveshje.

Ai po kërkon t'i bindë liderët e BE-së të rihapin bisedimet e "Brexit"-it, gjë që BE-ja vazhdimisht e ka hedhur poshtë.

Kundërshtarët e një "Brexit"-i pa marrëveshje thonë se një gjë e tillë do të ishte fatkeqësi për Mbretërinë e Bashkuar dhe se një largim "i çrregullt" do të dëmtonte rritjen globale dhe do të trondiste tregjet financiare. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore