Shkëmbimet ekonomike-tregtare kino-amerikane nuk mund të "shkëputen"

2019-06-24 19:21:27 CRI Komenti juaj Printoni

 

Qysh nga përshkallëzimi i mosmarrëveshjeve ekonomike-tregtare kino-amerikane, një pjesë e vogël njerëzish në ShBA, të përfaqësuar nga senatori republikan Marco Rubio, kanë trumbetuar "teorinë e shkëputjes" mes ShBA-së e Kinës dhe janë shprehur se duhet të priten lidhjet ekonomike-tregtare, teknologjike dhe njerëzore-kulturore ndërmjet të dy vendeve. Ata që mbrojnë këtë teori kanë harruar plotësisht historinë e zhvillimit të ShBA-së dhe se si kanë përfituar paraardhësit e tyre nëpërmjet shkëmbimeve ekonomike-tregtare me Kinën.

Më 22 shkurt të vitit 1784, kur ish-presidenti amerikan Xhorxh Uashington kremtonte ditëlindjen e tij të 52-të dhe ShBA-ja sapo kishte fituar pavarësinë, me qëllim për të thyer bllokadën ekonomisë së Britanisë, qeveria amerikane dërgoi një anije tregtare me emrin "Perandoresha kineze" për të kaluar Oqeanin Atlantik, Kepin e Shpresë së Mirë, pastaj Oqeanin Indian dhe për t'u futur në Oqeanin Paqësor dhe Detin e Kinës Jugore. Kjo anije arriti në Guangzhou të Kinës më 28 gusht të atij viti, duke filluar shkëmbimet e biznesit për herë të parë mes vendit më të vjetër dhe vendit më të ri në të dy anët e Paqësorit. Gjatë tre muajve të qëndrimit në Guangzhou, anija tregtare "Perandoresha kineze" fitoi mbi 30 mijë dollarë.

Ky lundrim i gjatë historik u tregoi amerikanëve përfitimet e shumta që mund të kishin nga tregu kinez. Prandaj, më shumë anije tregtare nisën të zhvillonin tregti të drejtpërdrejtë nëpërmjet "Rrugës Detare Amerikane të Mëndafshit". Pas viteve '90 të shekullit të 18-të, vlera e tregtisë së ShBA-së me Kinën e kaloi atë të tregtisë me vendet e vjetra tregtare, si Holanda, Danimarka e Portugalia, duke zënë vendin e dytë, pas Britanisë, me 100 vjet histori të tregtisë me Kinën. Në atë kohë, gazeta "New Jork Post" e quajti lundrimin e suksesshëm të anijes "Perandoresha kineze" si një moment historik në tregtinë e ShBA-së. Mallrat kineze u popullarizuan në tregun amerikan, madje duke përfshirë edhe presidentin Uashington.

Ditët e fundit, mbi 600 kompani amerikane, si "Walmart" dhe "Target", i dërguan së bashku një letër qeverisë amerikane, në të cilën kërkuan që të zgjidhet mosmarrëveshja tregtare me Kinën, duke vunë në dukje se shtimi i tarifave dëmton interesat e kompanive dhe konsumatorëve amerikanë. Në dëgjesat publike të mbajtura ditët e fundit mbi shtimin e tarifave ndaj mallrave kineze me vlerë prej 300 miliardë dollarësh amerikanë, shumë ndërmarrje amerikane, si ato të prodhimit të veshjeve e të produkteve të fëmijëve, si edhe përfaqësuesit e shoqatave të sektorëve të ndryshëm, kanë kundërshtuar shitmin e tarifave ndaj mallrave kineze të importuara në ShBA, duke vënë në dukje se mallrat kineze janë të pazëvendësueshme. Ata thanë se ekonomia kineze dhe ekonomia amerikane kanë lidhje të ngushta. Për prodhuesit amerikanë janë të domosdoshme prodhimet e nivelit të lartë dhe në masë të madhe të ndërmarrjeve kineze dhe shtimi i tarifave do të dëmtojë rëndë interesat e konsumatorëve amerikanë.

Në sfondin e globalizimit të lartë të ekonomisë sot, tregtia kino-amerikane jo vetëm ndikon në interesat dypalëshe, por edhe do të prekë zinxhirët globalë të prodhimit, të furnizimit dhe të vlerës. "Shkëputja" me forcë mes Kinës dhe ShBA-së do të dëmtojë zinxhirin ekonomik botëror dhe do të shkaktojë çrregullimin e tregut ndërkombëtar dhe lëkundjen e tregut financiar. Lidhur me këtë, ish-nënkëshilltarja e sekretarit amerikan të Shtetit Susan L. Shirk vuri në dukje se "teoria e shkëputjes" së Kinës dhe ShBA-së është një gabim i madh dhe do të shkaktojë dëme të mëdha për ekonominë botërore. Integrimi ekonomik kino-amerikan është bazë e rëndësishme e globalizimit.

Vëllimi i tregtisë kino-amerikane është shumë i madh dhe është e kuptueshme që do të ekzistojnë mosmarrëveshje, por me rëndësi është që të dyja palët të gjejnë mënyrën e duhur për të kontrolluar dallimet dhe për të shtuar konsensusin. (Fang Xiaoyu)

Mrekulli
Lajmet Kryesore