Kina kundërshton ndërhyrjet amerikane në çështjen e Hong Kongut

2019-06-15 11:26:36 CRI Komenti juaj Printoni

Autoritetet kineze i kanë paralajmëruar ligjvënësit amerikanë të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të Kinës lidhur me çështjen e Hong-Kongut.

Deklarata u bë pasi disa kongresmenë amerikanë janë shprehur se do të nxisnin një propozim që i kërkon sekretarit të Shtetit Mike Pompeo të bëjë një certifikim vjetor mbi autonominë e Hong-Kongut, për ruajtjen e trajtimit të veçantë që ky rajon i posaçëm administrativ i Kinës gëzon sipas Aktit të Politikave ShBA - Hong Kong të vitit 1992.

Lidhur me këtë, zëdhënësi i diplomacisë kineze Geng Shuang tha se çdo veprim në këtë drejtim nga Kongresi amerikan do të kuptohet si ndërhyrje në punët e brendshme të Kinës.

"Kina u bën thirrje individëve përkatës në ShBA të respektojnë faktet, të braktisin arrogancën dhe paragjykimet, të ndalojnë ndërhyrje në çështjen e Hong-Kongut, të heqin dorë nga shpresa e kotë për destabilizimin e gjendjes në Hong-Kong, të ndërpresin nxitjen e shqyrtimit të mocionit, të ndalojnë ndërhyrjet në punën e brendshme të Kinës dhe të bëjnë më shumë për të shtuar besimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë midis Kinës dhe ShBA-së", tha zëdhënësi Geng.

Ai shtoi se Kina nuk do t'u nënshtrohet presioneve të jashtme për çështjen e Hong Kongut:

"Kina nuk do ta ndryshojë kurrë vendosmërinë dhe vullnetin për mbrojtjen e sovranitetit, të sigurisë kombëtare dhe interesave të saj të zhvillimit. Ne nuk frikësohemi para asnjë kërcënimi. Çdo përpjekje që synon krijimin e kaosit në Hong Kong ose minimin e zhvillimit e të stabilitetit të Hong Kongut do të kundërshtohet nga populli kinez, duke përfshirë banorët e Hong Kongut. Kjo është në kundërshtim me dëshirën e tërë popullit kinez dhe nuk do të ketë rezultat."

Ndërkohë, zv.ministri i Jashtëm kinez Le Yucheng thërriti të ngarkuarin me punë të ambasadës së ShBA-së në Pekin, Robert W. Forden, lidhur me fjalët dhe veprimet e disa ligjvënësve amerikanë, duke ritheksuar në mënyrë solemne dhe serioze kundërshtimin e fortë ndaj ndërhyrjes amerikane në punët e brendshme të Kinës.

Në fakt, një Hong Kong në kaos nuk është në të mirë të asnjë pale. ShBA-ja është një ndër partneret më të rëndësishme të Hong Kongut dhe një Hong Kong i qëndrueshëm dhe i lulëzuar është në interes të palës amerikane.

Që nga viti 2009, pikërisht në tregtinë me Hong-Kongun, ShBA-ja pati suficitin më të lartë tregtar në përmasë botërore, duke arritur mbi 297 miliardë dollarë amerikanë në dhjetëvjeçarin e fundit. Prandaj, një Hong-Kong jo në qetësi nuk favorizon zvogëlimin e deficitit tregtar të ShBA-së. Për sa u përket investimeve, vetëm në vitin 2017, vlera e investimeve të drejtpërdrejta amerikane në Hong-Kong arriti mbi 81 miliardë dollarë. Nëse mjedisi i qëndrueshëm i biznesit në Hong-Kong sabotohet, do të ndikohen patjetër kompanitë amerikane në këtë qendër financiare botërore.(Zhang Yan)

Mrekulli
Lajmet Kryesore