Ambasadori i Kinës në Shqipëri takon kryebashkiaken e Shkodrës

2019-06-04 15:14:11 CRI Komenti juaj Printoni

Më 31 maj, ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding u takua me kryetaren e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi. Të dyja palët zhvilluan shkëmbime miqësore mbi marrëdhëniet kino-shqiptare dhe bashkëpunimin në nivel pushteti vendor.

Ambasadori Zhou u shpreh se kushtet natyrore të Shkodrës janë të mira. Shkodra ka epërsi të madhe gjeografike dhe burime të pasura ujore e minerare, duke pasur kështu një perspektivë të gjerë zhvillimi. Pala kineze dëshiron të forcojë me bashkinë e Shkodrës bashkëpunimin në fushën e e investimeve, turizmit etj. Zhou tha gjithashtu se miqësia e popujve të Kinës e Shqipërisë është e përhapur edhe në Shkodër dhe projektet e ndihmës kineze për Shqipërinë në shekullin e kaluar ende sjellin përfitime. Sivjet është 70-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Shqipërisë. Ambasada e Kinës do të organizojë me këtë rast një sërë aktivitetesh kremtimi. "Shpresojmë se bashkë me palën shqiptare do të trashëgojmë miqësinë midis Kinës e Shqipërisë dhe do të nxitim marrëdhëniet dypalëshe të arrijnë përparime të reja në epokën e re", tha përfaqësuesi diplomatik i Kinës në Shqipëri.

Kryetarja e bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi e mirëpriti vizitën e ambasadorit Zhou dhe u shpreh se Shkodra ka vijë bregdetare dhe liqenin më të madh të Ballkanit, si edhe male e toka të pashfrytëzuara. Shkodra po zhvillon me forcë të madhe turizmin dhe investimet e numri i turistëve në vitet e fundit është rritur më tej. Shkodra i kushton rëndësi bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ka epërsitë e duhura turistike, kulturore, sportive etj. Në shekullin e kaluar, inxhinierët e teknikët kinezë u lanë përshtypje të thellë banorëve të Shkodrës. Shkodra dëshiron të mësojë nga përvoja e zhvillimit e palës kineze dhe të nxisë bashkëpunimin dypalësh në fusha të ndryshme. (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore