OKB-ja e shqetësuar:Ebola në RD të Kongos mund të përhapet në vendet e tjera

2019-05-20 20:08:44 CRI Komenti juaj Printoni

Si pasojë e një rritje të numrit të të infektuarve me ebola këtë muaj në Republikën Demokratike të Kongos, e kombinuar me konfliktin e brendshëm të vazhdueshëm, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi shqetësimet në rritje për një përhapje të virusit vdekjeprurës nga verilindja drejt vendeve të tjera kufitare.

Luftimet e vazhdueshme, mungesa e informacionit dhe financimi i pamjaftueshëm për organizatat humanitare në terren janë bërë sfidat më të mëdha në kontrollin e virusit të Ebolës në vendin afrikan.

Mbi 1100 vetë kanë vdekur prej shpërthimit të epidemisë në krahinat e Kivusë së Veriut dhe Iturit gushtin e kaluar.

Ato që janë bërë më alarmante për punonjësit e shëndetësisë në terren janë të dhënat e reja nga Ministria e Shëndetësisë që tregojnë se mbi 20 përqind e të gjitha rasteve të reja të prekura nga virusi kanë ndodhur tre javët e fundit.

Kjo gjë ka shtuar frikën se ebola mund të përhapet në pjesë të tjera të vendit, në vendet fqinje apo më gjerë.

Dr. Michael Ryan nga Organizata Botërore e Shëndetësisë ka vizituar zonat me përhapjen më të lartë të Ebolës në RD të Kongos.

"Gjendja këtu është shumë e ndryshme në krahasim me Afrikën Perëndimore. I kemi mjetet për të bërë punën, vaksinat dhe një ekip shumë të përgatitur në terren që punon me kolegët tanë të Ministrisë së Shëndetësisë. Ajo që na pengon është gjendja e jashtëzakonshme e dhunës dhe pasigurive".

Në përditësimin e saj të fundit mbi shpërthimin, OBSh-ja paralajmëroi se ekipet e saj po hasin vështirësi në procesin e mbikëqyrjes ose në ofrimin e trajtimit të nevojshëm për pacientët për shkak të pasigurisë në zonën e shpërthimit.

OBSh-ja shtoi se pa përfunduar lufta nuk ka gjasa që virusi të mbahet nën kontroll në provincat e konfliktit.

Ryan shtoi se trupat e Kombeve të Bashkuara dhe ato kongoleze kanë shtuar masat e mbrojtjes për garantimin e sigurisë së stafit mjekësor.

"Është shtuar mbrojtja rreth Butembos and Katwa-s por është më e komplikuar se kaq pasi kemi të bëjmë me shumë grupe të armatosura, shumë grupe "Mai-Mai" që janë brenda komunitetit".

Ai shtoi se për këto grupe të brendshme nevojiten negociata dhe ndërmjetësim shumë i kujdesshëm.

Bilanci i viktimave që ka arritur në mbi 1100 në RD të Kongos ka bërë që ky shpërthim të konsiderohet si i dyti më vdekjeprurës pas epidemisë në Afrikën Perëndimore ku numri i viktimave ishte 10 herë më i lartë (mbi 11 mijë) nga fundi i vitit 2013 deri në fillim të vitit 2016. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore