Ambasadori kinez Zhou Ding viziton QSUT-në

2019-05-13 18:28:57 CRI Komenti juaj Printoni

Më 10 maj, ambasadori i Kinës në Shqipëri Zhou Ding vizitoi Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë (QSUT), ku pati një bisedë me drejtorin e këtij institucioni Enkelejd Joti. Të dy palët shkëmbyen mendime lidhur me bashkëpunimin shëndetësor e mjekësor midis Kinës dhe Shqipërisë.

Drejtori Joti i shprehu mirëseardhjen ambasadorit Zhou. Ai tha që Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza" është spitali më i madh publik i Shqipërisë. Vitet e fundit, QSUT-ja është marrë me zgjerimin e ndërtimit të infrastrukturës mjekësore dhe përmirësimin e shërbimeve mjekësore.

QSUT-ja ka përkrahur aktivisht thellimin e bashkëpunimit mjekësor midis Kinës e Shqipërisë dhe është e gatshme të ofrojë shërbime mjekësore për shtetasit kinezë në Shqipëri, duke shpresuar që të forcojë më tej bashkëpunimin pragmatik me palën kineze.

Ambasador Zhou u shpreh se bashkëpunimi në fushën e mjekësisë dhe shëndetësisë mes Kinës e Shqipërisë ka ardhur duke u thelluar vazhdimisht. Vitin e kaluar, dy vendet kanë nënshkruar "Planin e Veprimit Ndërmjet Komisionit Kombëtar të Shëndetit e Mirëqenies së Kinës dhe Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë në Fushën e Shëndetësisë për Periudhën 2018-2020", dokument që vë baza për bashkëpunimin e së ardhmes.

Kryediplomati kinez në Shqipëri vlerësoi se Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza", si institucioni më i madh publik në Shqipëri që ofron shërbime mjekësore, përfaqëson dhe ka trashëguar shpirtin fisnik të Nënë Terezës, që karakterizohet nga shërbimi ndaj shoqërisë dhe përkushtimi vetëmohues. Ambasadori Zhou shprehu shpresën që pala kineze dhe ajo shqiptare do të zhvillojnë shkëmbime në fushën e personelit mjekësor dhe do të diskutojnë mundësinë e përfshirjes së mjekësisë dhe farmaceutikës tradicionale kineze në sistemin shëndetësor të Shqipërisë, për të dhënë kontribut për shëndetin, mirëqenien dhe thellimin e miqësisë ndërmjet dy popujve.

(Wang Xianya)

Mrekulli
Lajmet Kryesore