Tregtia e jashtme e Kinës, rritje 4.3 % në 4-mujorin e parë

2019-05-09 11:20:12 CRI Komenti juaj Printoni

Administra doganore e Kinës ka theksuar se cilësia e strukturës së tregtisë së jashtme të vendit ka vijuar të përmirësohet dhe se baza e mirë e ekonomisë kombëtare mund të mbështesë rritjen afatgjatë në kushtet e pasigurive globale në rritje.

Të dhënat e fundit tregojnë se tregtia e jashtme e Kinës i kaloi 9.5 trilionë juanët në katër muajt e parë të sivjetshëm, 4.3 % më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Li Kuiwen nga Administrata e Përgjithshme e Doganave u shpreh se prirja e zhvillimit të tregtisë së jashtme të vendit ka vijuar të ruhet:

"Ekonomia e brendshme ka pasur një nisje të mirë sivjet dhe tregtia e jashtme regjistroi një rritje të qëndrueshme me përmirësim të cilësisë. Në katër muajt e parë, tregtia e jashtme ruajti prirjen e mirë të zhvillimit."

Gjatë kësaj periudhe, eksportet u shtuan 5.7 %, duke i kaluar 5 trilionë juanët, kurse importet arritën në 4.5 trilionë juanë, ose 3 % më shumë, duke çuar në një rritje mbi 30 % të suficitit tregtar.

Z. Li thotë se rritja ka ardhur falë bazës së fortë të ekonomisë kineze:

"Megjithëse rrethanat e jashtme po bëhen më të ndërlikuara dhe serioze, themelet e politikave të tregtisë së jashtme të Kinës mbeten të favorshme për rritjen afatgjatë. Në përgjithësi, struktura e tregtisë së jashtme të Kinës vazhdon të përmirësohet, transformimi i motorëve të rritjes është shpejtuar dhe rritja e qëndrueshme me përmirësim të cilësisë është realizuar në mënyrë të rregullt."

Vetëm në prill tregtia e jashtme e Kinës u rrit 6.5%, duke arritur 2.5 trilionë juanë, me një rritje mbi 10 % të importeve.

Analisti i tregut Bai Ming vë në dukje disa arsye për shtimin e ndjeshëm të importit nga Kina në gjashtë muajt e kaluar:

"Së pari, rritja e importeve përfitoi nga rritja e qëndrueshme e ekonomisë së vendit. Së dyti, kjo ka ardhur në saje të politikave të qeverisë kineze, sidomos të uljes së madhe të tarifave. Ekspozita Ndërkombëtare e Importit që u organizua vitin e kaluar në Shangai, ka ndihmuar gjithashtu në shtimin e importit."

Të dhënat zyrtare tregojnë se Bashkimi Europian ishte partneri më i madh tregtar i Kinës, i ndjekur nga vendet e Azisë Juglindore, ShBA-ja dhe Japonia.

Siç mësohet, në katër muajt e parë të sivjeshëm, tregtia e Kinës me vendet përgjatë "Një brez, një rrugë" arriti në 2.7 trilionë juanë, 9 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

(Zhang Yan)

Mrekulli
Lajmet Kryesore