Arrestohen 13 veta për shpërthimet në Sri-Lanka

2019-04-22 10:28:10 CRI Komenti juaj Printoni

Sipas policisë së Sri-Lankës, 13 veta janë arrestuar për një sërë shpërthimesh të ndodhura të dielën në hotelet luksoze dhe kishat e këtij vendi gjatë kremtimit të Pashkëve. Sulmet shkaktuan mbi 200 të vdekur dhe shumë të plagosur.

Autoritetet vendore thanë që të arrestuarit janë shtetas srilankas dhe se po vazhdojnë kërkimet për të dyshuar të tjerë.

Policia bëri të ditur gjithashtu që 13 të dyshuarit janë në paraburgim në Kolombo dhe 10 prej tyre i janë dorëzuar Departamentit të Hetimeve Penale.

Ministri srilankas i Mbrojtjes Maithripala Sirisena dënoi ekstremistët fetarë si përgjegjës për këto sulme:

"Si qeveri, do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme kundër çdo grupi ekstremist që vepron në vendin tonë. Nuk duhet t'u japim asnjë mundësi këtyre ekstremistëve të veprojnë dhe të bëjnë çfarë kanë bërë në ditët e kaluara. Do të ndërmarrim veprimet e nevojshme dhe do t'i gjejmë, pavarësisht se cilit ekstremizëm fetar i përkasin ata."

Z. Sirisena shpalli gjithashtu ndalimqarkullimin në mbarë vendin, me qëllim për të ndihmuar forcat e sigurisë që të kapin të dyshuarit. Ai shtoi se me hetimet po merren ministria e tij dhe policia.

"Ne do të ndërmarrim veprimet e nevojshme ndaj tyre dhe do të ndalojmë veprimtarinë e këtyre grupeve në vend në të ardhmen. Tani Departamenti i Hetimeve Penale, policia e 'tre forcat' po merren me të gjitha hetimet," theksoi Sirisena.

Policia tha që të paktën 220 veta janë vrarë dhe 450 mbetën të plagosur në tetë shpërthime. 35 viktima janë shtetas të huaj. Deri më tani asnjë nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmet.

(Wang Xianya)

Mrekulli
Lajmet Kryesore