Ambasadori kinez në Tiranë takon kryeparlamentarin Ruçi

2019-03-18 19:19:48 CRI Komenti juaj Printoni

 

Ambasadori i Kinës në Shqipëri z.Zhou Ding u takua me kryetarin e Parlamentit të Shqipërisë z.Gramoz Ruçi. Dy palët shkëmbyen në thellësi pikëpamjet mbi marrëdhëniet Kinë-Shqipëri. Në takim ishin gjithashtu të pranishëm këshilltari politik i ambasadës kineze në Shqipëri Bai Yunbin dhe drejtorja e përgjithshme e Marrëdhënieve me Jashtë e Parlamentit shqiptar znj.Irma Pashkja.

Z. Ruçi uroi ambasadorin e Kinës për marrjen e mandatit të tij në jubileun e 70-të të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve dhe theksoi se historia e miqësisë mes dy vendeve është e gjatë dhe se dy popujt ruajnë ndjenja miqësore ndaj njëri-tjetrit.

Ai shtoi se aktualisht, besimi i ndërsjellë politik midis dy palëve është i fortë, bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar po përparon vazhdimisht dhe shkëmbimet njerëzore po bëhen gjithnjë e më aktive. Ai shprehu shpresën për rritjen e numrit të kompanive kineze që investojnë në Shqipëri si dhe numrin e turistëve kinezë. Partitë në pushtet dhe ato opozitare kanë konsensus të gjerë në zhvillimin e marrëdhënieve me Kinën dhe Parlamenti është i gatshëm të punojë me Asamblenë Kombëtare Popullore dhe KKPPK-në e Kinës dhe të shpeshtojë shkëmbimet ndërpartiake, në mbështetje të zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe.

Ambasadori Zhou Ding prezantoi shkurtimisht situatën e dy sesioneve të Kinës në 2019-n, duke thënë se nga zhvillimi i Kinës nuk përfiton vetëm populli kinez, por gjithashtu e mbarë bota. Një Kinë e hapur do të sjellë më shumë mundësi zhvillimi për vendet e botës, përfshi Shqipërinë. Kina dhe Shqipëria kanë potencial të madh bashkëpunimi në fushën ekonomiko-tregtare dhe kulturoro-njerëzore.

Ambasadori kinez tha se kompanitë kineze kanë interes të madh për të investuar në Shqipëri dhe shprehu shpresën se pala shqiptare do të krijojë një mjedis të mirë për bashkëpunimin pragmatik në nivel ligjor. Politika pa viza e këtij viti për shtetasit kinezë e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për sezonin turistik është inkurajuese dhe do të jetë në favor të zhvillimit të ekonomisë shqiptare dhe promovimit të miqësisë mes dy popujve. Kina shpreson që dy vendet do të shfrytëzojnë rastin e 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, për të vazhduar shkëmbimet e ngushta me parlamentin e Shqipërisë në të gjitha nivelet, për të forcuar shkëmbimin e përvojave në qeverisjen e vendit, për të hulumtuar aktivisht mënyrat efektive të bashkëpunimit dhe për të promovuar më shumë arritje në miqësinë tradicionale midis Kinës dhe Shqipërisë në epokën e re.(Zhan Dian)

Mrekulli
Lajmet Kryesore