Kongresi i ShBA-së miratoi projektligjin e shpenzimeve për të shmangur mbylljen e qeverisë

2019-02-15 16:46:16 CRI Komenti juaj Printoni

Dhoma e Përfaqësuesve e ShBA-së miratoi të enjten mbrëma një ligj mbi shpenzimet dhe sigurinë kufitare, për të shmangur një tjetër mbyllje të qeverisë, disa orë pas miratimit të projektligjit në Senat.

Projektligji tani do t'i kalojë për firmë presidentit Donald Trump. Shtëpia e Bardhë u shpreh po të enjten se presidenti do ta nënshkruajë projektligjin dhe do të deklarojë në të njëjtën kohë një emergjencë kombëtare, me qëllim që të sigurojë fonde për financimin e murit në kufirin ShBA-Meksikë, premtimi i tij kryesor gjatë fushatës.

Votimi përfundimtar në Dhomën e Përfaqësuesve ishte 300-128, ndërsa Senati votoi 82-16 për ta miratuar ligjin të enjten pasdite.

"Presidenti Trump do ta firmosë projektligjin e financimit të qeverisë e, siç ka deklaruar më parë, do të ndërmarrë edhe veprime të tjera ekzekutive, duke përfshirë një emergjencë kombëtare, për të garantuar që ne ta ndalojmë krizën humanitare dhe të sigurisë kombëtare në kufi", u shpreh në një deklaratë sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders.

Lufta mbi financimin e murit kufitar midis Shtëpisë së Bardhë dhe demokratëve të Kongresit çoi në mbylljen rekord prej 35 ditësh të qeverisë federale, që përfundoi në fund të janarit. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore