2018-12-21 20:42:52 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Me rastin e 40-vjetorit të Reformës së Hapjes së Kinës, bashkësia ndërkombëtare po analizon se çfarë ka bërë Kina gjatë 40 vjetëve për të krijuar "mrekullinë". Shumë analistë dhe medie kanë arritur në përfundimin se përgjigjja e kësaj pyetjeje janë risitë e sistemit, guximi në praktikë, vetëpërmirësimi, puna dhe mençuria etj. Por ata kanë harruar faktin se Kina ka një aftësi zbatuese të fortë e të vazhdueshme për zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe nuk do të ndalojë ritmet sipas programit të vet të zhvillimit, që i ka siguruar asaj ecjen në mënyrë të qëndrueshme sipas objektivave të planifikuar në rrugën e Reformës dhe Hapjes.
Reforma në fshat dhe reforma në qytet janë dy suksese të mëdha gjatë 40 vjetëve të Reformës e Hapjes. Ato, së bashku me masa të tjera të mëdha të reformës së Kinës në fusha të tjera, kanë krijuar tablonë e përgjithshme të zhvillimit të Kinës gjatë 40 vjetëve. Gjatë këtij procesi, qeveria kineze ka zbatuar radhazi "planet 5-vjeçare të reformës dhe zhvillimit të vendit", për të krijuar "hartën" e zhvillimit të vendit dhe të shoqërisë, duke garantuar qëndrueshmërinë e reformës dhe të zhvillimit kombëtar dhe rritjen e vazhdueshme të ndjenjës së përfitimit dhe të krenarisë së popullit. Në tetorin e vitit të kaluar, Kongresi i 19-të i Partisë Komuniste të Kinës vendosi krijimin e shoqërisë së begatë të gjithanshme deri në vitin 2020, realizimin e modernizimit socialist deri në vitin 2035 dhe ndërtimin e një vendi socialist të fuqishëm, modern, demokratik, të kulturuar, harmonik dhe të bukur deri në mesin e këtij shekulli.
Për çdo vend, reforma gjithmonë është një betejë e vështirë dhe e vazhdueshme. Reforma e Hapja e Kinës ka ruajtur vijimësinë për 40 vjet. Kjo është epërsia e sistemit të vendit dhe fati i mirë i popullit kinez, si edhe diçka shumë e çmuar në mjedisin ndërkombëtar, që është përplot me faktorë të pasigurt. Zhvillimi i disa vendeve shpesh ndalet për shkak të zëvendësimit të liderëve dhe partive. Por rruga e zhvillimit të Kinës është gjithmonë "një garë stafete", që ofron parashikueshmëri për Kinën e botën dhe bëhet stabilizator i rritjes së ekonomisë botërore. (Fang Xiaoyu)