2018-12-14 15:24:59 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Rreth një vit më parë isha duke ngrënë darkë në një restorant vietnamez në Sanlitun, një zonë moderne në qendër të Pekinit, me qendra tregtare të mbushura me marka ndërkombëtare. Me mua ishin miq italianë dhe francezë që kishin ardhur në Kinë për të studiuar kinematografi me bursa nga shteti kinez.
Një fotografi e kontratës së firmosur nga fshatarët e Xiaogang-ut të provincës Anhui në vitin 1978. [Photo: VCG]
Në restorant, një grua rreth të 50-ave erdhi dhe na pyeti nëse mund të bënim një fotografi me të ëmën. Pranuam dhe filluam të bisedonim me to. Nëna e saj, në të 70-at, ndodhej për herë të parë në Pekin dhe dëshironte të bënte një foto me ne, sepse ishte hera e parë që takonte të huaj. Dhe vizita e saj në Pekin kishte edhe disa "të para" të tjera. Fluturimi i parë i saj me aeroplan. Vizita e parë në një qytet të madh. Ishte, në fakt, udhëtimi i parë i saj jashtë komunës së saj në provincë Sichuan.
Takimi ynë shumë i zakonshëm mund të ishte i pamundur dyzet vjet më parë. Vetëm një numër i vogël të huajsh jetonin në Kinë në atë kohë. Industria kombëtare kinematografike e Kinës siguroi 4.6 miliardë dollarë nga shitja e biletave vitin e akluar, por në vitet '70 të shekullit të kaluar nuk mund të vije këtu për të studiuar për kinematografi, për arsye që kjo industri ishte në gjendje amullie, gati e vdekur. Dhe megjithëqë tani Kina dhe Vietnami janë partnerë tregtarë me një vëllim tregtie prej 100 miliardë dollarësh vjet, në vitin 1979 të dy vendet përballeshin në fushëbeteje.
Një fotografi e fshatit Xiaogang para vitit 1978. [Photo: VCG]
Ndryshimet e jashtëzakonshme që kanë ndodhur në jetën e dy njerëzve që takuam atë natë, janë rezultat i vendosmërisë së një njeriu tjetër nga Sichuan-i, Ten Hsiao Pinit. Në një mbledhje 5-ditore të Partisë Komuniste të Kinës të zhvilluar më 22 dhjetor të vitit 1978 në hotelin "Jingxi" të Pekinit, ai vendosi të përfundojë trazirat që zgjatën për një dekadë në mbarë vendin. Në komunikatën pas mbledhjes u përmend "modernizimi socialist", "zhvillimi i shpejtë i prodhimit" dhe "veprimi sipas ligjeve ekonomike duke i kushtuar rëndësi rolit të ligjit të vlerës". Ky është fillimi i politikës së Reformës dhe të Hapjes të Kinës.
Një hap i madh përpara në vijim u hodh në një fshat të vogël me emrin Xiaogang larg kryeqytetit. Banorët e atjeshëm ishin shumë të varfër, atyre u mungonte furnizimi me ushqime dhe të korrat e atij viti ishin të mjerueshme. Fshatarët ranë dakord të ndajnë fshehurazi tokën e tyre kolektive. Çdo familje do të menaxhonte një copë toke të vogël dhe mund të mbante pjesën mbi kuotën e prodhimit të fshatit. Në sfondin e kolektivizimit dhe të ekonomisë së kontrolluar rreptësisht për disa dekada, kjo ide ishte aq e rrezikshme, saqë secili prej tyre nënshkroi një marrëveshje, duke thënë se do të kujdeseshin për fëmijët e çdo fshatari që mund të dënohej - madje edhe me vdekje - nëse plani i tyre do të zbulohej. Vitin e ardhshëm, e njëjta tokë, e punuar me të njëjtat mjete dhe e mbjellë me të njëjtat bimë, prodhoi më shumë se në pesë vitet e mëparshme të marrë së bashku. Në vend që të ndëshkoheshin, kjo metodë e fshatit u përhap në mbarë vendin.
Në vitin 1978 GDP-ja për frymë në Kinë ishte 156 dollarë, kurse vitin e kaluar ajo ishte 8826 dollarë, 57 herë më e lartë. Gjatë asaj periudhe, GDP-ja në Shtetet e Bashkuara dhe Amerikën Latine e Karaibe u rrit 6-fish, në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut pesë herë dhe në Afrikën nënsahariane tre herë.
40 vjet Reformë dhe Hapje a kanë qenë një rrugë e thjeshtë? Absolutisht jo.
Fshatarët që firmosën kontratën në vitin 1978 bëjnë një fotografi në hyrje të fshatit Xiaogang në vitin 2018. [Photo: VCG]
Kina është përpjekur për të gjetur një ekuilibër mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes së mjedisit.
Dhe përpara Kinës ka edhe një betejë të vështirë. Kina po përpiqet për të përballuar sfidat, që përfshijnë plakjen e popullsisë dhe reformimin e sektorit të financave për të ofruar më shumë mbështetje për ndërmarrjet private. Ndërkohë, ajo po përpiqet edhe për të mbështetur ndërmarrjet shtetërore, me qëllim që ato të jenë më të përgatitura për t'u përballur me sfidat në një treg më të hapur dhe më të globalizuar.
Nga Carl Benjaminsen,
redaktor dhe drejtues emisionesh në Radion e Jashtme të Kinës, pranë Grupit Mediatik të Kinës.