Wang Yi vlerëson diplomacinë kineze gjatë vitit 2018

2018-12-11 14:13:10 CRI Komenti juaj Printoni

Në ceremoninë e hapjes të Seminarit të Diplomacisë Kineze dhe Situatës Ndërkombëtare të vitit 2018, të zhvilluar të martën, ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi u shpreh se tipari më i dukshëm i situatës ndërkombëtare në vitin 2018 është se ajo ka qenë plot me faktorë të papërcaktuar. Përballë ndryshimit më të madh të situatës gjatë një shekulli, diplomacia kineze është si një anije e madhe që ecën në det në drejtimin e përcaktuar nga ajo vetë, pa u gënjyer nga mjegulla dhe pa u penguar nga era, u shpreh Wang. Ai e përshkroi diplomacinë kineze me gjashtë fjalë kyçe: hapje, bashkëpunim, qëndrueshmëri, udhëheqje, përgjegjësi dhe këmbëngulje.

Në fillim të vitit 2018, në Forumin e Boaos për Azinë, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping shpalli se "dyert e hapura të Kinës nuk do të mbyllen, por do të hapen më tej." Në Ekspozitën e 1-rë Ndërkombëtare të Importit të Kinës të organizuar në tetor, morën pjesë 172 vende, rajone e organizata dhe mbi 3600 kompani. Vlera e përgjithshme e transaksioneve tregtare arriti në afro 60 miliardë juanë. Kina e shfaqi me veprime konkrete përkrahjen e vendosur për hapjen e ekonomisë botërore. Wang Yi vuri në dukje se zgjerimi i hapjes ka qenë motivi i vazhdueshëm i diplomacisë kineze në vitin 2018:

"Përballë proteksionizmit dhe hegjemonizmit të njëanshëm, Kina ka përkrahur procesin e globalizmit dhe ka këmbëngulur në sistemin e tregtisë së lirë dhe mbrojtjen e rregullave të multilaterializmit. Sivjet Kina ka lëshuar në mënyrë të pandërprerë sinjale të sigurta për zgjerimin e hapjes dhe ka zgjedhur rrugën e drejtë të përparimit historik."

Marrëdhëniet kino-amerikane kanë tërhequr vëmendjen e madhe të botës. Pak kohë më parë, presidenti i Kinës Xi Jinping u takua me homologun e vet amerikan Donald Trump gjatë Samitit të Liderëve të Grupit të 20 Vendeve në Argjentinë. Të dy palët arritën konsensus për nxitjen e marrëdhënieve kino-amerikane mbi bazën e parimeve të bashkërendimit, të bashkëpunimit e të qëndrueshmërisë dhe bënë planifikimin e ri për zhvillimin e shëndetshëm të marrëdhënieve kino-amerikane. Kreu i diplomacisë kineze Wang Yi tha:

"Në 40 vjetët pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike kino-amerikane, kemi marrë mësime dhe kemi grumbulluar përvoja të mjaftueshme. Nëse të dy vendet zhvillojnë bashkëpunim, do të kenë përfitime të përbashkëta; nëse ato kanë konflikt, nga kjo të gjithë do të humbasin. ShBA-ja duhet të heqë dorë nga koncepti i lojës ku fituesi i merr të gjitha, ta shikojë më pozitivisht zhvillimin e Kinës, të zgjerojë në mënyrë të pandërprerë hapësirat dhe perspektivat për përfitime të përbashkëta, të mos krijojë artificialisht kundërshtarë të rinj dhe të shmangë realizimin e 'profecive të vetërealizueshme'."(Xu Guang)

Mrekulli
Lajmet Kryesore