2018-11-26 09:40:00 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Presidenti i Kinës Xi Jinping do të bëjë një vizitë shtetërore në Spanjë nga 27 deri më 29 nëntor, vizita e parë në 13 vjet e një kreu shteti të Kinës në Spanjë. Qarqet e ndryshme spanjolle kanë shprehur mirëpritjen e tyre për këtë vizitë të rëndësishme.
Oscar Becerra është zv.menaxheri i përgjithshëm i gazetës më të madhe të Spanjës, "El Pais". Ai shpreson se vizita e presidentit Xi Jinping do të nxitë forcimin më tej të marrëdhënieve miqësore ndërmjet të dy vendeve:
"Kina dhe Spanja kanë vendosur marrëdhënie diplomatike shumë kohë më parë. Sivjet është 45-vjetori i vendosjes së këtyre marrëdhënieve. Tani ne duhet të formojmë një marrëdhënie të tipit të ri. Kina dhe Spanja kanë shumë pika të përbashkëta, si për shembull në kulturë, dhe të dy vendet mund të mësojnë nga njëri-tjetri në shumë fusha. Shpresoj se të dy vendet do të krijojnë marrëdhënie më të forta dhe që Spanja do të bëhet urë për zhvillimin e marrëdhënieve mes Kinës dhe Amerikës Latine."
Marrëdhëniet ekonomiko-tregtare mes Kinës dhe Spanjës janë zhvilluar shumë shpejt në vitet e fundit. Sipas të dhënave statistikore të palës spanjolle, Kina është partnerja më e madhe tregtare e Spanjës jashtë BE-së. Zhvillimi i shpejtë i shkëmbimeve ekonomiko-tregtare mes dy vendeve u ka sjellë shumë spanjollëve mundësi të mira. Edhe kultura kineze ka tërhequr interesin e madh të tyre. Mësimi i gjuhës kineze u ka krijuar mjaft spanjollëve mundësinë për të njohur Kinën dhe për të realizuar zhvillimin e vet. Deri tani në Spanjë rreth 50 mijë veta po mësojnë gjuhën kineze.(Xu Guang)