Kina ndihmon vendet e Paqësorit Jugor të shfaqen në "radarin" e politikës ndërkombëtare

2018-11-17 09:53:05 CRI Komenti juaj Printoni

Presidenti kinez Xi Jinping, që ndodhet në një vizitë shtetërore në Guinenë e Re Papua, u takua në kryeqytetin e këtij vendi Port-Moresbi me krerët e vendeve të Paqësorit që kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Kinën, duke zhvilluar një takim kolektiv me udhëheqësit dhe përfaqësuesit e qeverive të këtyre vendeve dhe duke shkëmbyer mendime për thellimin e marrëdhënieve mes Kinës dhe vendeve të Paqësorit. Xi dha katër sugjerime, si "forcimi i besimit të ndërsjellë, begatia e përbashkët, shtimi i miqësisë dhe mbrojtja e njëri-tjetrit për të ruajtur barazinë dhe drejtësinë", duke hapur një epokë të re të marrëdhënieve Kinë-Paqësor.

Gjatë këtyre ditëve, rreth vizitës së Xi Jinpingut, mediat perëndimore janë përqendruar në rritjen e ndikimit të Kinës në Paqësorin e Jugut.

Agjencia e lajmeve AP njofton që Port-Moresbi është i mbushur me shenja të pranisë së Kinës, si rrugët, qendra e konferencës dhe ndalesat e autobusëve. Një ditë para vizitës së Xi Jinping-ut, mediat vendore publikuan në një faqe të plotë artikullin e Xi Jinping-ut, për të promovuar "rifillimin e lundrimit të marrëdhënieve mes Kinës dhe vendeve të Paqësorit. " Fjalët dhe veprimet e Kinës kanë dërguar një mesazh bindës për vendet e Paqësorit Jugor, që ata tani kanë një zgjedhje të re.

Ndihma e sinqertë e Kinës ka shqetësuar disa vende perëndimore që kanë frikë se do të humbasin ndikimin e tyre në këtë rajon. Disa vende, media, studiues dhe madje edhe zyrtarë të lartë qeveritarë e kanë akuzuar Kinën herë pas here, gjë që ka zemëruar vendet e Paqësorit Jugor. Kryeministri i Samoas, Tuilaepa Sailele Malielegaoi, vuri në dukje se thënie të tilla janë një fyerje për udhëheqësit e vendeve të Paqësorit. Ministri i Drejtësisë i Tongës, Sione Fa'otusia, thotë se ndien keqardhje nga akuzat ndaj ndihmës së Kinës për vendet e Paqësorit, të cilat vërtet kanë nevojë për këtë ndihmë.

Krahasuar me vendet perëndimore, ndihma e Kinës për vendet e Paqësorit Jugor është e thellë dhe e gjithanshme. Në takimin kolektiv me udhëheqësit dhe përfaqësuesit e qeverisë të vendeve të Paqësorit që kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Kinën, Xi Jinping-u premtoi se Kina do të marrë masa aktive për hapjen e tregut për vendet e këtij rajoni, zgjerimin e investimeve, rritjen e importeve nga këto vende, duke shtuar se Kina mirëpret "hipjen" e vendeve të Paqësorit në "trenin e shpejtë" të zhvillimit të Kinës. Presidenti Xi tha se Kina mbështet vendet e Paqësorit të lëshojnë "zërin e Paqësorit", të promovojnë nismën e "Paqësorit blu" dhe të shtojë komunikimin e koordinimin me vendet e Paqësorit në çështjet ndërkombëtare, duke ndihmuar njëri-tjetrin dhe duke ruajtur bashkë barazinë dhe drejtësinë ndërkombëtare.

Udhëheqësit e vendeve pjesëmarrëse shprehën besimin që Kina është një partnere e rëndësishme për realizimin e dëshirës së tyre të zhvillimit, për rritjen e mirëqenies së popujve të këtyre vendeve dhe për përballimin e sfidave globale. Ata shprehën gatishmërinë për të marrë pjesë aktivisht në ndërtimin e nismës "Një brez, një rrugë". Kina dhe vendet të Paqësorit kanë hyrë në një epokë të re të bashkëpunimit të gjithanshëm. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore