Ambasadorja kineze Jiang Yu takohet me kreun e policisë shqiptare Ardi Veliu

2018-11-15 10:52:52 CRI Komenti juaj Printoni

Ambasadorja kineze në Shqipëri, znj. Jiang Yu, u takua të mërkurën në Tiranë me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu. Të dy palët shkëmbyen mendime mbi forcimin e sigurisë së kompanive dhe personelit kinez në Shqipëri dhe probleme të tjera. Në takim ishin të pranishëm edhe atasheu ushtarak i Kinës Liu Xingjiang, drejtori i Kabinetit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit Pëllumb Seferi dhe drejtori i Departamentit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në këtë drejtori Idajet Faskaj.

Ambasadorja kineze Jiang Yu vuri në dukje se vitet e fundit, Kina dhe Shqipëria kanë pasur shkëmbime të shpeshta dhe të frytshme. Nëpërmjet mekanizimit të këshillit të përbashkët dhe të njoftimit të informacioneve, ambasada kineze dhe policia shqiptare kanë kryer me sukses misionet e garantimit të sigurisë gjatë vizitave të nivelit të lartë e organizimit të veprimtarive të mëdha dhe kanë mbrojtur sigurinë e kompanive kineze e të stafit të tyre, si dhe të vizitorëve kinezë gjatë sezonit turistik të sivjetshëm në Shqipëri. Lidhur me këtë, pala kineze shpreh falënderimin e vet të madh për përkrahjen e policisë shqiptare. Znj. Jiang tha se Kina dëshiron të forcojë shkëmbimet me policinë shqiptare, duke thelluar e zgjeruar fushat e bashkëpunimit dhe duke pasuruar përmbajtjen e kësaj marrëdhënieje, për të ofruar një garanci më të madhe për zhvillimin e gjithanshëm dhe të shpejtë të marrëdhënieve dypalësh.

Ndërsa drejtori i përgjithshëm i policisë shqiptare, z. Ardi Veliu, u shpreh se vitet e fundit, bashkëpunimi në fushën policore midis Shqipërisë dhe Kinës ka arritur rezultate të dukshme, duke thelluar pandërprerë njohjen e ndërsjellë. Pala shqiptare e falënderon Kinën për ndihmën që i ka dhënë. Sipas tij, policia shqiptare do të vazhdojë të bëjë përpjekje për të garantuar sigurinë e kompanive kineze dhe personelit të tyre në Shqipëri dhe dëshiron të forcojë kontaktet në nivele të ndryshme për të shkëmbyer përvojat dhe për të thelluar bashkëpunimin në fushat e kualifikimit, ngritjes së aftësisë ligjzbatuese dhe shërbimeve turistike etj., duke rritur pandërprerë nivelin e bashkëpunimit.

(Zhang Yan)

Mrekulli
Lajmet Kryesore