2018-11-08 17:20:19 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Në Shangai po mbahet Ekspozita e Parë Ndërkombëtare e Importi e Kinës. Në të marrin pjesë mbi 3 mijë kompani nga mbi 130 vende dhe rajone të botës, ku bëjnë pjesë shumëkombëshe gjigante nga ekonomitë e zhvilluara përfshi ShBA-ja, BE-ja dhe Japonia, si dhe shumë kompani nga vendet në zhvillim. Kompanitë pjesëmarrëse kanë shprehur shpresën për hyrjen në tregun kinez duke e përdorur si platformë këtë ekspozite dhe të ndajnë bashkërisht përfitimet e rritjes ekonomike të Kinës.
Kati i dytë i pavijoneve të 7-të dhe 8-të të Qendrës Kombëtare të Ekspozitës është zona ku ekspozohen produktet ushqimore dhe bujqësore, si dhe një vend ku përqëndrohen ekspozuesit nga vendet në zhvillim. Menaxheri i kompanisë Gabriel Canola u tha gazetarëve se qeveria kineze është e angazhuar për hapjen e mëtejshme dhe se përfaqësuesit e kompnaive ndjejnë se tregu më i madh i botës është plot me mundësi biznesi.
"Presidenti Xi tha në ceremoninë e hapjes se Kina dëshiron të hapë tregun e saj, e cila është shumë e rëndësishme për vendet e tjera, përfshirë Kolumbinë, por askush në Kolumbi nuk di se cilat produkte nevojiten në këtë treg. Kafeja jonë, ushqimet organike dhe ushqimet e shëndetshme janë të një cilësie të lartë. Nëpërmjet këtij panairi të importit, ne shpresojmë të dimë se çfarë lloj produktesh nevojiten në tregjet në mbarë Kinën dhe çfarë lloj kushtesh për qasje janë të nevojshme."
Znj. Sandrin Wallez, drejtuese e kompanisë "Aelan", prodhuese e çokollatës në Vanuatu një ishull në Paqësor, shprehet e frymëzuar nga ekspozita dhe thotë se kjo është hera e parë që vjen në Kinë. Ajo shprehu shpresën për vendosjen e një kanali komunikimi me shpërndarësit kinezë përmes kësaj ekpozite.
"Avantazhi i produkteve të Vanuatu-së është se mjedisi ynë nuk është i ndotur, produktet tona bujqësore janë organike dhe ushqimet janë natyrale. Të gjitha këto produkte janë shumë të shëndetshme dhe me cilësi shumë të lartë. Kina është tregu më i madh në botë, nëse produktet tona mund të hyjnë në Kinë do të kemi përfitim të madh si vend. Jemi këtu për të kuptuar mundësinë e biznesit afatgjatë, nëse çmimet tona janë konkurruese dhe për të gjetur partnerë të përshtatshëm biznesi si dhe për të ndërtuar një urë në tregun kinez".
Kompania sudaneze "Camel Simsim" hyri në tregun kinez tre vjet më parë për të eksportuar produkte bujqësore si susam dhe kikirikë. Drejtori i Përgjithshëm Omer Imam u tha gazetarëve:
"Tregu kinez është relativisht i madh, popullsia është e madhe dhe të ardhurat e banorëve po bëhen gjithnjë e më të larta. Mendojmë se ky treg është shumë i rëndësishëm dhe ka një të ardhme të shkëlqyer.Sudani është një nga vendet me prodhimin më të lartë të susamit në botë. Vitin e kaluar, Sudani eksportoi në Kinë 20 mijë tonë susam dhe planifikon të zgjerojë shitjet këtë vit."
Për t'u zgjeruar në tregun kinez, ministri i Mjedisit, Bujqësisë dhe Blegtorisë së Burundit, Durema Deo-Guide, erdhi personalisht për të promovuar kafenë dhe çajin e vendit të vet.
"Jam shumë i lumtur që shumë miq kanë shfaqur interes për produktet tona. Shpresojmë ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të zgjeruar eksportin e produkteve tona, për të nxitur tregtinë mes dy vendeve dhe për të mësuar nga përvoja e Kinës në aspektin e teknologjisë, menaxhimit dhe novacionit. "