2018-11-07 19:57:57 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Këto ditë Kina ka qenë pa dyshim në fokus të mediave ndërkombëtare.
Të hënën presidenti kinez Xi Jinping mbajti një fjalim në Ekspozitën e parë Ndërkombëtare të Importit të Kinës, ku propozoi ndërtimin e përbashkët të një ekonomie të hapur inovative dhe gjithëpërfshirëse. Ai shpalli se Kina do të marrë pesë masa kryesore për të zgjeruar hapjen ndaj botës, do të nxitë potencialin e importit dhe do të lehtësojë hyrjen në treg. Ndërkohë të martën, kryeministri kinez Li Keqiang zhvilloi dialogun "6+1" me drejtuesit e gjashtë organizatave kryesore ekonomike ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Organizata Botërore e Tregtisë etj. Palët zhvilluan diskutime lidhur me bashkëpunimin e hapur dhe me përfitime të përbashkëta ndërmjet Kinës e botës. Kryeministri Li Keqiang ritheksoi se Kina do të nxitë hapjen e nivelit të lartë dhe zhvillimin me cilësi të lartë.
Po atë ditë, zv.presidenti i Kinës Wang Qishan u shpreh në Forumin e Ekonomisë së Inovacionit të vitit 2018 në Singapor se Kina do të këmbëngulë në trajtimin e çështjeve të veta, do të hapet më tej ndaj botës dhe do të nxitë bashkë me vendet e tjera një ekonomi më të hapur, më gjithëpërfshirëse, më të barabartë dhe me përfitime të ndërsjella më të mëdha.
Në të njëjtën kohë, në Kinë janë organizuar gjithashtu Ekspozita Ndërkombëtare e Aviacionit dhe e Aeronautikës e Kinës dhe Konferenca e 5-të Botërore e Internetit. Kina me veprime të hapura ka treguar vendosmërinë për zhvillimin e përbashkët me mbarë botën.
Bashkëpunimi i hapur i Kinës me botën është një nga rezultatet e arritura nga Reforma e Hapja e nisur 40 vjet më parë. Gjatë këtyre 40 vjetëve, të ardhurat e banorëve të Kinës janë rritur 25 herë dhe GDP-ja është dyfishuar çdo tetë vjet. Mbi 700 milionë kinezë kanë dalë nga varfëria, duke zënë 70 % të numrit të përgjithshëm të atyre që kanë dalë nga varfëria në botë. Kina ka dhënë kështu një ndihmesë të rëndësishme për zhvillimin e botës.
Rezultatet e Kinës janë arritur me vështirësi. Ato mbështeten në shpirtin punëtor të popullit kinez dhe thellimin e reformës e zgjerimin e hapjes.
Drejtorja Ekzekutive e Fondit Monetar Ndërkombëtar Christine Lagarde mendon se "Kina po ndërton një urë drejt lulëzimit". Në nëntë muajt e parë të këtij viti, përqindja e kontributit të konsumit në GDP-në e Kinës arriti në 78 %, teksa para pesë vjetëve, kjo shifër ishte 50 %. "Ndërtimi" i kësaj "ure" është jo vetëm nevojë e kinezëve, por edhe e mbarë botës.
Sivjet mbushen dhjetë vjet nga fillimi i krizës financiare ndërkombëtare. Gjatë kësaj kohe, bashkësia ndërkombëtare bashkëpunoi e doli nga vështirësitë dhe ekonomia botërore ka shfaqur tani prirjen e rimëkëmbjes. Megjithatë, tani përpara saj kanë dalë rreziqe dhe sfida. Sidomos në dy vjetët e fundit, globalizimi ekonomik ka pësuar krizë, proteksionizmi tregtar është rritur dhe kanë lindur mosmarrëveshje tregtare.
Presidenti i Bankës Botërore Jim Yong Kim është shprehur se në horizont janë shfaqur disa re të errëta dhe se ata parashikojnë se rritja e ekonomive të reja do të ngadalësohet. Organizatat kryesore financiare ndërkombëtare, duke përfshirë Bankën Botërore, kanë ulur parashikimin për rritjen e ekonomisë globale.
Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës për Bashkëpunimin e Zhvillimin Ekonomik Angel Gurria vuri në dukje se arsyeja e uljes së parashikimit është shtimi i taksave doganore dhe i tensioneve tregtare. Sivjet tregtia globale do të rritet 3%, duke u ulur 4-5 pikë përqindjeje në krahasim me situatën e zakonshme, dhe arsyeja kryesore për këtë janë mosmarrëveshjet tregtare, u shpreh Gurria.
Ekonomia botërore ndodhet në një udhëkryq të ri. Qëndrimi dhe veprimi i Kinës për zhvillimin e ekonomisë botërore është shumë i rëndësishëm. Edhe politikat makroekonomike të vendeve të ndryshme të botës duhet të bashkërendohen dhe ato duhet të zgjerojnë hapësirën e bashkëpunimit me anë të hapjes. (Çang Çuo)