Dy ish-kryediplomatë amerikanë: Kina nuk është armike e ShBA-së

2018-10-09 19:23:39 CRI Komenti juaj Printoni

Pala kineze i ka hedhur poshtë me vendosmëri akuzat e bëra ditët e fundit nga zv.presidenti amerikan Mike Pence mbi politikën e brendshme dhe atë të jashtme të Kinës. Lidhur me këto akuza, dy ish-sekretarë amerikanë të Shtetit, Colin Powell dhe Madeleine Albright, janë shprehur në një intervistë të përbashkët për CNN-in se "Kina nuk është armike e ShBA-së" dhe se "ShBA-ja nuk duhet të zhvillojë një Luftë të Ftohtë të re me Kinën".

Albright-i vuri në dukje se mëkëmbja e Kinës është, nga njëra anë, rezultat i historisë së vetë Kinës dhe i përpjekjeve të popullit kinez, kurse nga ana tjetër, i faktit se ShBA-ja nuk ka marrë përsipër detyrimet e saj ndërkombëtare, gjë që ka krijuar hapësirë për ngritjen e Kinës.

Powell-i tha se zhvillimi i Kinës i ka sjellë shumë përfitime ShBA-së. Kështu, produktet kineze me çmim të ulët dhe cilësi të mirë përputhen me nevojat e amerikanëve. Lufta tregtare e nisur nga ShBA-ja me Kinën do të dëmtojë konsumatorin amerikan. Ai theksoi se mbi 300 mijë studentë kinezë kanë paguar tarifat e plota për ndjekjen e universiteteve amerikane, megjithatë, brenda Shtëpisë së Bardhë ka zëra që kërkojnë largimin e studentëve kinezë. Por shumica e drejtuesve të këtyre universiteteve nuk e kanë pranuar një gjë të tillë.

Përveçse sekretar Shteti, Colin Powell ka qenë edhe këshilltar për çështjet e sigurisë kombëtare i presidentit amerikan dhe shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane. Sipas tij, Shtëpisë së Bardhë i mungon tani një strategji për Kinë. Ndërsa lidhur me përcaktimin nga Pentagoni të Kinës dhe Rusisë si vende armike, Powell-i u shpreh se ShBA-ja nuk duhet ta bëjë një gjë të tillë, por duhet të gjejë rrugët e dialogut e të komunikimit dhe të pranojë se vendet e tjetra janë ndryshe nga ajo.

Si një nismëtar i kontakteve të ShBA-së me Kinën, ish-sekretari tjetër amerikan i Shtetit Henry Kissinger mendon se paqja dhe zhvillimi në botën e sotme varen nga ajo nëse Kina dhe ShBA-ja do të gjejnë rrugët për të bërë së bashku përpjekje. Mendimet e të dy palëve nuk janë gjithmonë të njëjta, por ato duhet të mbajnë nën kontroll mosmarrëveshjet, theksoi ai. Përveç këtyre, të dyja palët duhet të përcaktojnë një objektiv që do t'i afrojë ato, për të krijuar një kornizë të tillë.

Kissinger-i theksoi se problemi mes Kinës dhe ShBA-së nuk është fitimi ose humbja, po se si mund të ruhen rendi botëror dhe drejtësia ndërkombëtare nëpërmjet dialogut. (Fang Xiaoyu)

Mrekulli
Lajmet Kryesore