2018-10-08 19:49:36 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Sipas Qendrës së të Dhënave të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Kinës, gjatë pushimeve të Ditës Kombëtare të Kinës, 726 milionë turistë u pritën në mbarë vendin, 9.43 % më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kina është bërë vendi me numrin më të madh të turistëve jashtë vendit për të pestin vit radhazi.
Në krahasim me vitin e kaluar, sivjet konsumi real dhe konsumi i shërbimeve kanë treguar përmirësim si lidhur me strukturën, ashtu edhe përmasën. Kinezët po mirëpresin një epokë të re të përmirësimit të konsumit, që lidhet me një kujdes më të madh për cilësinë, përvojën dhe modelet e konsumit.
Qysh nga viti 2015, kur Kina filloi reformën strukturore në fushën e ofertës, ndryshimi i strukturës së sektorit kinez të mallrave të konsumit është shpejtuar. Në korrik të këtij viti Kina uli në masë të madhe tarifat për 1449 kategori mallrash importi, duke u ofruar konsumatorëve kinezë më shumë mundësi zgjedhjeje për konsum me cilësi të lartë.
Gjatë Ditës Kombëtare të Kinës sivjet, muzetë, libraritë, kinematë e teatrot dhe vende të tjera publike në Kinë pritën numrin më të lartë të vizitorëve në çdo qytet kinez. Një gjë e tillë tregon se konsumatorët kinezë e kanë përmirësuar strukturën e konsumit, duke u prirur drejt produkteve të shërbimit dhe nevojave kulturore e shpirtërore të tyre dhe duke i dhënë tipare të reja zhvillimit të ekonomisë kineze me cilësi të lartë.
Sipas "Raportit për ekonominë e Kinës" të publikuar nga Banka Botërore, ekonomia kineze ende ruan prirjen e zhvillimit të shpejtë. Në të ardhmen, qeveria kineze do të zbatojë më shumë masa për të nxitur zhvillimin ekonomik. Qysh nga 1 nëntori, Kina do të ulë tarifat për 1 585 kategori, përshirë produktet e ndërmarrjeve dhe produktet e përdorimit të përditshëm.
Më 5 nëntor do të hapet në Shangai edicioni i parë i Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës. Parashikohet se mbi 150 mijë blerës vendës e të huaj nga 130 vende e rajone do të marrin pjesë në këtë panair.(Fang Xiaoyu/Artan Goga)