Kinë, rritje e vrullshme e robotëve industrialë

2018-08-16 10:29:34 CRI Komenti juaj Printoni

Kina është e gatshme të zhvillojë bashkëpunim me palë të ndryshme për zhvillimin e sektorit të robotëve industrialë, tha të mërkurën ministri i Industrisë dhe i Teknologjisë së Informacionit, Miao Wei.

Konferenca Botërore e Robotikës "WRC"

Sipas tij, Kina është tregu më i madh i robotëve dhe gjatë nxitjes së përparimit cilësor të këtij sektori, Kina do të jetë gjithmonë e hapur për të krijuar një ambient të mirë për bashkëpunim me përfitime shumëpalëshe.

Konferenca Botërore e Robotikës "WRC", e njohur si "olimpiada" e industrisë së robotikës, po mbahet kohët e fundit në Pekin. Në të marrin pjesë mbi 160 ndërmarrje botërore, të cilat po shfaqin produktet e tyre më të fundit. Në fjalimin e rastit të ceremonisë së hapjes, ministri Miao u shpreh se në pesë vitet e fundit, vëllimi ekonomik i industrisë kineze të robotëve shënoi një rritje vjetore prej afro 30% dhe vitin e kaluar arriti në 7 miliardë dollarë amerikanë. Ndër to, mbi 130 mijë robotë u prodhuan për qëllim industrial, shifër kjo 68.1% më e lartë se vitin 2016. Pritet që ky trend të vijojë dhe në të ardhmen.

Konferenca Botërore e Robotikës "WRC"

Në konferencë, z. Miao tha:

"Kina i kushton rëndësi të madhe zhvillimit të industrisë së robotikës dhe e konsideron përparimin teknologjik në këtë sektor si një masë e rëndësishme për zbatimin strategjik të ruajtjes së vendit si prodhues i fuqishëm. Gjatë këtij procesi, ne do të lejojmë që risia dhe kërkesa të jenë forcat nxitëse, tregu të luajë rolin vendimarrës në shpërndarjen e burimeve, duke bërë përpjekje për arritjen e përparimit të dukshëm në studimin e teknikave kyçe, të ndërtimit të zinxhirit industrial, të zgjerimit të sferave të praktikës dhe të zhvillimit të përqëndruar".

Sipas të dhënave nga Federata Ndërkombëtare e Robotikës, vëllimi i përgjithshëm global i industrisë robotike arriti mbi 25 miliardë dollarë amerikanë vitin e kaluar, me një rritje prej 20% nga viti 2016. Ndërsa, kjo shifër pritet të arrijë në 30 miliardë dollarë sivjet. Sipas ministrit Miao, nxitja e përparimit teknologjik dhe e zhvillimit të sektorit të robotëve kanë formuar një konsensus të gjerë në botë, pasi vendet dhe rajonet e ndryshme po përpilojnë strategji dhe politika për të mbështetur zhvillimin në këtë fushë.

(Zhang Yan)

  

Mrekulli
Lajmet Kryesore