Kinë-Afrikë e Jugut, konsensus mbi partneritetin e gjithanshëm

2018-07-25 17:02:44 CRI Komenti juaj Printoni

Më 24 korrik, presidenti i Kinës Xi Jinping zhvilloi bisedime me homologun e Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa në Pretoria. Dy udhëheqësit vlerësuan miqësinë tradicionale dhe arritën një konsensus të rëndësishëm për nxitjen e partneritetit të gjithanshëm strategjik mes dy vendeve në Epokën e Re. Ata ranë dakord që të shtojnë shkëmbime të nivelit të lartë, besimin e ndërsjellë politik, të integrojnë strategjitë e tyre të zhvillimit, të nxisin bashkëpunimin praktik dhe të shtojnë shkëmbimet kulturore dhe njerëzore, në dobi të dy popujve me frytet e bashkëpunimit Kinë-Afrikë e Jugut.

Paraditen e 24 korrikut, presidenti i Afrikës së Jugut Ramaphosa mbajti një ceremoni madhështore pritëse për homologun Xi Jinping në sheshin përpara pallatit presidencial. Pas ceremonisë, ata biseduan dhe zhvilluan një konferencë të përbashkët shtypi, për të folur mbi konsensusin e rëndësishëm të arritur gjatë bisedimeve. Xi Jinping tha se Kina dhe Afrika e Jugut janë vende të mëdha në zhvillim dhe kanë ndikim të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Të dyja palët kanë krijuar marrëdhënie të sinqerta, miqësore, besnike dhe të ngushta, si "shokë dhe vëllezër".

Xi Jinping tha se ai pati bisedime të frytshme me presidentin Ramaphosa dhe ka arritur një konsensus të rëndësishëm për zhvillimin e partneritetit të gjithanshëm strategjik mes Kinës dhe Afrikës së Jugut në Epokën e Re. Të dyja palët duhet të shtojnë besimin e ndërsjellë politik, të forcojnë bashkëpunimin brenda kornizës "Një brez, një rrugë" dhe Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Afrikë, të integrojnë strategjitë e tyre të zhvillimit, të thellojnë shkëmbimet dhe bashkëpunimin në fushat e reja ekonomike dhe industriale, të forcojnë lidhje kulturore e njerëzore, të thellojnë eksplorimin e burimeve njerëzore dhe bashkëpunimin turistik dhe të nxisin lidhjen e zemrave të dy popujve.

"Kina dhe Afrika e Jugut janë vende të mëdha në zhvillim dhe kanë ndikime të rëndësishme. Të dyja vendet kanë mendime dhe qëndrime të ngjashme mbi çështjet kryesore ndërkombëtare dhe rajonale në botën e sotme. Të dyja palët duhet të vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin strategjik, të mbështesin multilateralizmin, të mbrojnë sistemin shumëpalësh tregtar, të nxisin demokratizimin e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe së bashku të mbrojnë interesat e përbashkëta Kinë-Afrikë e Jugut, Kinë-Afrikë dhe të gjitha vendeve në zhvillim," theksoi Xi Jinping.

Ramaphosa, nga ana e tij, tha se prej vendosjes së marrëdhënieve diplomatike 20 vjetë më parë, marrëdhëniet Afrikë e Jugut-Kinë kanë tejkaluar marrëdhëniet dypalëshe dhe kanë rëndësi të madhe strategjike, duke patur bashkëpunime të frytshme në rajon dhe kornizat shumëpalëshe. Miqësia e veçantë mes dy vendeve ka favorizuar në mënyrë konkrete dy popujt.

Xi Jinping tha gjithashtu që është zgjedhja e vendosur strategjike afatgjatë e Kinës që të ruhet bashkëpunimi dhe solidariteti me vendet afrikane. Kina beson që Samiti i Pekinit për Forumin e Bashkëpunimit Kinë-Afrikë (FOCAC) do të jetë një ngjarje historike për të forcuar solidaritetin dhe bashkëpunimin midis Kinës dhe Afrikës.

"Për një muaj e pak ditë, unë dhe presidenti Ramaphosa do të bashkë-drejtojmë Samitin e Pekinit në kuadër të Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Afrikë. Ne presim me padurim të punojmë me udhëheqësit e tjerë afrikanë, për të diskutuar miqësinë dhe bashkëpunimin mes Kinës dhe Afrikës në Epokën e Re dhe të punojmë së bashku për të ndërtuar një komunitet më të ngushtë fatesh të përbashkëta mes Kinës dhe Afrikës. Unë besoj se ky samit me siguri do të jetë një aktivitet historik për forcimin e solidaritetit dhe bashkëpunimit mes Kinës dhe Afrikës," theksoi Xi Jinping.

Ramaphosa e falënderoi Kinën për mbështetjen e Samitit të BRICS-it në Johannesburg. Afrika e Jugut po pret të marrë pjesë në Samitin e Pekinit pranë Forumit të Bashkëpunimit Kinë-Afrikë.

"Afrika e Jugut do të bashkëpunojë në mënyrë të ngushtë me Kinën për të zhvilluar mirë këto dy aktivitete," theksoi Ramaphosa.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore