Presidentja e Senatit të Holandës: Ky është viti i PO-së për Shqipërinë

2018-07-06 10:58:47 CRI Komenti juaj Printoni

Holanda ka dhënë mbështetje të vazhdueshme për perspektivën europiane të Shqipërisë.

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi prit në një takim Presidenten e Senatit të Holandës, Anki Brukers-Knol, dhe delegacionin që e shoqëronte, të cilët po zhvillojnë një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Ky ishte takimi i parë i Kryetarit të Kuvendit pas Vendimit të Këshillit Europian, i cili iu përgjigj pozitivisht rekomandimit të Komisionit dhe përcaktoi rrugën drejt hapjes së negociatave të pranimit me Shqipërinë në qershor 2019.

Kryetari Ruçi i shprehu Presidentes Anki Brukers-Knol mirënjohjen e Kuvendit të Shqipërisë si edhe të gjithë shqiptarëve, për mbështetjen e vazhdueshme dhe korrekte të Holandës për perspektivën europiane të Shqipërisë.

"Ne jemi të bindur se në qëndrimin e Holandës për çështjen e hapjes së negociatave me Shqipërinë nuk ka asnjë grimcë paragjykimi, por vetëm vëmendje e kujdes të natyrshëm", – nënvizoi Ruçi.

Nga ana e saj Presidentja Anki Brukers-Knol theksoi Holanda është e bindur se Shqipëria është një vend europian dhe me një të ardhme të qartë europiane. Qëndrimi i Holandës për çështjen e hapjes së negociatave është një mundësi shumë e mirë për të nxitur Shqipërinë të luftojë më ashpër kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vetting-u është një rast unik dhe rezultatet që ju keni arritur në këtë aspekt janë impresionuese. Ajo shprehu bindjen se në qershor 2019 negociatat me Shqipërinë do të hapen. (ATSH)

Mrekulli
Lajmet Kryesore