Kinë, Volkswagen përfitime të mëdha nga tregtia e lirë

2018-07-05 21:04:25 CRI Komenti juaj Printoni
Kryeministri kinez, Li Keqiang, do të bëjë vizitë zyrtare në Bullgari e Gjermani nga 5 deri më 10 korrik dhe do të drejtojë konsultimet midis qeverive kineze e gjermane. Bashkëpunimi kino-gjerman është thelluar pandërprerë dhe kompania gjermane Volkswagen është një model i suksesshëm në bashkëpunimin dypalësh të nivelit të lartë. Në prag të vizitës së kryeministrit Li Keqiang në Gjermani, presidenti i degës kineze të Grupit Volkswagen, Jochem Heizman, dha një intervistë për radion tonë ku foli mbi tregtinë e lirë, reformën e hapjen e Kinës, zhvillimin e ardhshëm të industrisë automobilistike etj.

Gjatë takimit në maj në Pekin, midis Li Keqiang-ut e kancelares gjermane Angela Merkel, e cila ndodhej për vizitë në Kinë, dy udhëheqësit u shprehën pro mbrojtjes së multilateralizmit e të tregtisë së lirë. Jochem Heizman-i është i mendimit se hapja e tregut dhe tregtia e lirë kanë rëndësi themelore për sukseset e kompanisë Volkswagen në Kinë:

"Ne mirëpresim të gjitha masat e qeverisë kineze për nxitjen e hapjes së tregut, të tregtisë së lirë e të konkurrencës në treg në fushën e industrisë automobilistike. Këto masa do t'u vijnë në ndihmë vazhdimit të investimeve afatgjata në të ardhmen. Ne mirëpresim konkurrencën, konkurrenca e lirë nën kushte të barabarta ka rëndësi më të madhe për nxitjen e risisë, ky është i vetmi drejtim i duhur", u shpreh ai.

Në vitin 1983, kompania gjermane Volkswagen, hyri në tregun kinez dhe u prodhua makina e parë Volkswagen në Kinë. Sot Kina ka kaluar SHBA-në e Gjermaninë duke u bërë tregu më i madh i ndërmarrjeve automobilistike gjermane. Sipas të dhënave të vitit 2017, rreth 40% e automjeteve të Grupit Volkswagen prodhohen e shiten në Kinë. Jochem Heizman u shpreh se Volkswagen-i është përfitues i padiskutueshëm i globalizimit ekonomik e i tregtisë së lirë:

"Kemi patur pa tjetër përfitime të mëdha nga politika e reformës dhe hapjes e Kinës, e nisur para 40 vjetëve, përndryshe nuk do të hynim në tregun kinez për prodhimin e automjeteve. Sot kemi ndërtuar në Kinë rreth 20 baza prodhimi dhe 30 fabrika. Po bëjmë përpjekje për të shtuar prodhimin. Vitin e kaluar, shitëm në tregun kinez 4 milionë automjete dhe kënaqësia e besnikëria e konsumatorëve janë objektivi më i lartë i yni", tha ai. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore