Kina: ShBA-ja ka shkelur konsensusin e konsultimeve tregtare dypalëshe

2018-06-21 17:01:18 CRI Komenti juaj Printoni
Zëdhënësi i Ministrisë së Tregtisë të Kinës Gao Feng u shpreh të enjten në Pekin se konsultimet dypalëshe tregtare kino-amerikane kanë arritur konsensus, i cili është shkelur nga ShBA-ja. Ai theksoi njëkohësisht se pala kineze do të reagojë fort ndaj ShBA-së me masa të ndryshme, si sasiore, edhe cilësore.

Duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me këtë çështje në një konferencë shtypi, Gao Feng u shpreh:

"Mbi bazën e konsensusit të arritur gjatë konsultimeve në Uashington, të dyja palët zhvilluan konsultime në fillim të qershorit në Pekin lidhur me bujqësinë dhe energjinë, që u mirëpritën nga qarqet e ndryshme. Gjatë bisedimeve të dyja palët ranë dakord të zhvillojnë në një të ardhme të afërt konsultime konkrete lidhur me sektorët e prodhimit dhe të shërbimeve, si edhe për çështje strukturore me interes të përbashkët. Kina është e mendimit se konsultimet e mëparshme dypalëshe ishin pozitive e konstruktive. Ato përputhen me interesat e të dy popujve, me ritmin e zhvillimit të Reformës e Hapjes të përcaktuar nga Kina dhe me parimet e OBT-së. Por ne ndiejmë keqardhje të madhe që pala amerikane nuk është e besueshme dhe jo vetëm e shkeli konsensusin, por edhe po provokon një luftë tregtare. Pala kineze është e detyruar të kundërpërgjigjet për këtë. ShBA-ja është mësuar me metodën e vet të kërcënimit gjatë zhvillimit të bisedimeve, por kjo nuk ka vlerë për Kinën. Ky veprim i paarsyeshëm nuk është në favor të zgjidhjes së problemit."

Gao Feng theksoi njëkohësisht se, nëse pala amerikane do të shpallë të ashtuquajturën listë të tarifave, duke shtrembëruar tregtinë ndërkombëtare dhe duke çuar në pabarazi tregtare, atëherë pala kineze është e gatshme të kundërpërgjigjet fort për të mbrojtur interesat e vendit dhe të popullit të vet. (Vera)

Mrekulli
Lajmet Kryesore