Kina nxit ShBA-në dhe Korenë e Veriut të ndërmarrin hapa konkretë për paqen

2018-06-12 19:33:12 CRI Komenti juaj Printoni

Ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, mirëpriti dhe shprehu mbështetjen për takimin midis presidentit të ShBA-së Donald Trump dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut Kim Jong Un në Singapor.

Gjatë takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të ASEAN-it Lim Jock Hoi në Pekin, Wang tha se takimi i Singaporit shënon një faqe të re në histori, pas gjysmë shekulli tensionesh midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut.

"Ne shpresojmë që udhëheqësit e lartë të të dy vendeve të heqin dorë nga ndërhyrja, të krijojnë besim të ndërsjellë, të kapërcejnë vështirësitë dhe të arrijnë konsensus bazë për nxitjen dhe arritjen e denuklearizimit të Gadishullit, si edhe të krijojnë dhe të forcojnë mekanizmin e paqes në Gadishull. Ne shpresojmë se ata do të bëjnë një hap të rëndësishëm në këtë drejtim. Sigurisht, ne jemi të gatshëm t'i shohim të gjitha palët përkatëse të bëjnë përpjekje pozitive për këtë."

Autoritetet kineze kanë bërë thirrje për bisedime në kushte të barabarta midis Trump-it dhe Kim Jong Un-it, duke i nxitur të dy vendet të hedhin hapa konkretë drejt paqes.

Ministri i Jashtëm kinez tha gjithashtu se Kina do të vazhdojë të bëjë atë që i takon për të ndihmuar në denuklearizimin e Gadishullit Korean.

Gjatë samitit historik, Donald Trump-i dhe Kim Jong Un-i nënshkruan një dokument, të cilin presidenti i ShBA-së e përshkroi si "të rëndësishëm" dhe "gjithëpërfshirës".

Dokumenti përfshin premtimin e Kim Jong Un-it për denuklearizimin e Gadishullit Korean, si edhe riatdhesimin e eshtrave të gjithë personelit ushtarak amerikan të vrarë gjatë Luftës së Koresë.

Megjithatë, hollësitë se si do të arrihen këta objektiva nuk janë përfshirë në dokument.

Nga ana e tij, Kim u shpreh se të dy palët "do të lënë pas të kaluarën" dhe bota "do të shohë një ndryshim të madh". (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore