Autoritetet gjermane vlerësojnë arritjet e reformave në Shqipëri

2018-06-08 09:11:21 CRI Komenti juaj Printoni

Gjatë vizitës së saj në Berlin, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj u prit në një takim në Ministrinë e Brendshme Federale nga Stephan Meyer, sekretar Shteti Parlamentar në Ministrinë e Brendshme Federale, si dhe në dy takime në Bundestagun gjerman nga Patrick Sensburg, kryetar i Komisionit për Imunitetet, Zgjedhjet dhe Rregullat Procedurale si dhe z. Johannes Fechner, zëdhënës i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Mbrojtjen e Konsumatorëve.

Ministrja Gjonaj i njohu përfaqësuesit e këtyre institucioneve me zhvillimet në Shqipëri dhe përpjekjet për forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjatë këtyre takimeve u diskutua propozimi i Komisionit të Bashkimit Europian për hapjen e pakushtëzuar të negociatave me Shqipërinë, si dhe reformat e thella që ka ndërmarrë qeveria jo vetëm si detyrim në kuadër të këtij procesi, por sidomos për zhvillimin europian të Shqipërisë.

Autoritetet gjermane, si edhe deputetët e Bundestagut, vlerësuan arritjet e Shqipërisë, veçanërisht rezultatet e para të Vetingut dhe në rastet e fillimit të ndjekjes penale ndaj zyrtarëve të lartë publikë, si dhe mbështetën fort vijimin e reformave që ka ndërmarrë Shqipëria që garantojnë forcimin e shtetit ligjor, luftë kundër kriminalitetit, emigrimit të paligjshëm si dhe krijimin e kushteve për zhvillimin ekonomik dhe pjesëmarrjen në tregun e përbashkët europian. (ATSH)

Mrekulli
Lajmet Kryesore