Ambasadori: Bjellorusia mirëpret thellimin e bashkëpunimit me anëtarët e OBSh-së

2018-05-28 09:59:14 CRI Komenti juaj Printoni

Ambasadori i Bjellorusisë në Kinë Kiryl Rudy thotë se vendi i tij është gati për të marrë pjesë në samitin e ardhshëm të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh), që do të mbahet në Qingdao, dhe mirëpret shtimin e projekteve të përbashkëta në kuadër të OBSh-së.

Duke folur pak kohë më parë në Pekin, ambasadori u shpreh:

"OBSh-ja është një platformë e mirë, ku njerëz nga vende të ndryshme, me fe të ndryshme e mendësi të ndryshme mund të bashkohen dhe të përpiqen, sipas mënyrës kineze, me qetësi dhe zgjuarsi, të diskutojnë për disa sfida me të cilat ne të gjithë jemi duke u përballur sot në botë. Në kulturën tonë, mënyra më e mirë për të kuptuar njëri-tjetrin janë vizitat e ndarja e ushqimit së bashku. Prandaj shpresojmë që një ditë anëtarët e OBSh-së do të vizitojnë Bjellorusinë."

Bjellorusia mori statusin e vendit vëzhgues në samitin e 15-të të OBSh-së që u mbajt në Rusi në vitin 2015.

Kiryl-i u shpreh se Minsku po ndjek nga afër zhvillimin e organizatës dhe mirëpret bashkëpunimin me sa më shumë vende anëtare të saj:

"Ne shpresojmë që në të ardhmen do të ketë më shumë projekte investimesh. Edhe parku industrial Kinë-Bjellorusi mund të jetë njëfarë projekti i përbashkët, ku mund të ftojmë të gjitha vendet e tjera të OBSh-së. Tani për tani ne kemi investitorë jo vetëm nga Kina, por edhe nga Rusia. Por do të jemi të lumtur të shohim edhe disa kompani nga India, nga Pakistani dhe nga vende të tjera që të vijnë në parkun tonë industrial."

Samiti i sivjetshëm i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait do të zhvillohet nga 6 deri më 10 qershor. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore