Tiranë: Ambasadorja kineze viziton Ekspozitën Ndërkombëtare të Akuarelit "Spring 2018"

2018-05-23 10:40:03 CRI Komenti juaj Printoni

Ambasadorja e Kinës në Shqipëri Jiang Yu mori pjesë të hënën në ceremoninë e hapjes së Ekspozitës Ndërkombëtare të Akuarelit "Spring 2018" në Tiranë. Ambasadorja vizitoi gjithashtu ekspozitën dhe pa veprat e piktorëve nga vendet e ndryshme, duke përfshirë edhe ata kinezë. 54 piktorë nga 25 vende e rajone morën pjesë në këtë ekspozitë. Piktori Shan Hong u shpall "Artisti më i mirë" i ekspozitës.

Ambasadorja Jiang falënderoi organizatorët dhe piktorët pjesëmarrës për përpjekjet e tyre për shkëmbimet kulturore midis vendeve të ndryshme. Ajo u shpreh se një numër piktorësh kinezë u ftuan në këtë ekspozitë në Shqipëri dhe kanë rastin të zhvillojnë shkëmbime me piktorë të njohur botërorë, duke i afruar popujt me njëri-tjetrin nëpërmjet artit. Shkëmbimet kulturore midis Kinës dhe Shqipërisë po përtërihen vazhdimisht, duke shtuar miqësinë dhe mirëkuptimin midis të dy popujve dhe duke forcuar bazën shoqërore për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të tilla si turizmi, tregtia etj.

Veprat e piktorëve kinezë janë unike në stil dhe përmbajtje. Ato përfshijnë peizazhe, piktura me lule dhe zogj, piktura figurash etj. Ato janë të pasura në përmbajtje dhe interesante, duke paraqitur bukurinë dhe themelet e pikturës kineze të akuarelit dhe duke u vlerësuar nga piktorët dhe artdashësit nga vende të ndryshme. Piktori Shan Hong shquhet në pikturat me kuaj të formave të ndryshme. Ai ndërthur karakteristikat e pikturës kineze me bojë të zezë me anatominë strukturore dhe ngjyrat e hapura të pikturës perëndimore për të paraqitur strukturën fizike të kuajve. Piktori tjetër pjesëmarrës në ekspozitë, Chao Tiejun, dallohet për dhënien e perspektivave të njerëzve bashkëkohorë dhe për shprehjen e mendimeve dhe ndjenjave të tij për njeriun dhe natyrën përmes artit tradicional perëndimor të akuarelit. Artisti Luo Kehuang shquhet për natyrat e qeta, duke shprehur peripecitë e pikturës me ngjyra dhe dritëhije.(Zhan Dian)

Mrekulli
Lajmet Kryesore