2018-05-21 17:09:22 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Kina dhe ShBA-ja zhvilluan konsultime konstruktive ekonomiko-tregtare në Uashington dhe publikuan një deklaratë të përbashkët të shtunën. Në Forumin e 4-t të Globalizimit të Kinës, që u mbajt në Pekin të dielen, shumë nga të ftuarit ishin të mendimit se thellimi i bashkëpunimit ekonomik-tregtar midis Kinës e SHBA-së plotëson jo vetëm nevojat e dy popujve, por edhe kërkesat e globalizimit.
Sipas deklaratës së përbashkët në Uashington pas konsultimeve, për të përmbushur kërkesat në rritje të konsumit të popullit kinez dhe për të promovuar një zhvillim ekonomik me cilësi të lartë, Kina do të rrisë ndjeshëm blerjen e mallrave dhe shërbimeve nga ShBA-ja. Gjithashtu të dyja palët ranë dakord që Kina të zgjerojë importin e produkteve bujqësore dhe energjetike nga ShBA-ja. Për këtë, Fu Chengyu, ish-kryetar i Korporatës Kombëtare të Naftës të Kinës, tha se ky është një rezultat pozitiv i bashkëpunimit të favorshëm mes dy vendeve dhe gjithashtu pasqyron përshtatjen e marrëdhënieve globale të prodhimit.
"Marrëdhëniet tregtare kino-amerikane nuk mund të shihen vetëm nga ana tregtare, por ato në të vërtetë janë një dukuri e pashmangshme e rregullimit të marrëdhënieve botërore ose e rregullimit të marrëdhënieve të prodhimit."
Long Yongtu, ish-sekretari i përgjithshëm i Forumit të Boaos për Azinë, beson se Kina dhe ShBA-ja arritën një konsensus këtë herë për të përmbushur kërkesën e popullit kinez për produkte me cilësi të lartë dhe shërbime cilësore, por gjithashtu për përfitime të ndërsjella:
"Konsensusi i arritur mes Kinës dhe ShBA-së u arrit për shkak se udhëheqësit e të dy vendeve kanë vullnet të fortë politik. Më e rëndësishme është që të dy popujt kishin nevojë për një marrëveshje. Për shkak se globalizimi i ka bashkuar fort interesat e të dy popujve dhe të dyja vendeve, kemi zgjedhur rrugën e përfitimeve të ndërsjella dhe përparimit të përbashkët."
Long Yongtu gjithashtu u shpreh se Reforma dhe Hapja e Kinës kanë hyrë në një fazë të re dhe politikat e tregtisë së jashtme duhet gjithashtu të përshtaten. Ai mendon se në të kaluarën, rezerva valutore e Kinës ishte e pamjaftueshme dhe Kina kishte nevojë të eksportonte valutë të huaj, por tani Kina duhet t'i kushtojë rëndësi të barabartë eksportit e importit dhe për sa u përket importeve duhet të bëjë përpjekje më të mëdha për të plotësuar kërkesat e njerëzve në epokën e re për produkte dhe shërbime cilësore.
Sipas Qian Jiannong-ut, partneri global i grupit "Fosun" dhe drejtori ekzekutiv i Grupit të Kulturës e Turizmit "Fosun", pas konflikteve tregtare qëndron thellimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në të ardhmen kompanitë kineze duhet të forcohen, të përmirësohen dhe të zgjerohen.
"Në të vërtetë, shkak për fërkimet tregtare është thellimi i bashkëpunimit ndërkombëtar, sepse vëllimi i përgjithshëm ekonomik po rritet dhe mosmarrëveshjet ndërkombëtare për tregtinë do të jenë gjithnjë e më të shumta. Si duhet t'i trajtojnë kompanitë kineze problemet me të cilat përballen në procesin e zhvillimit të globalizimit? Unë mendoj se, së pari, ato duhet të forcojë veten dhe të jenë më cilësore; së dyti, kompanitë kineze duhet të zgjerohen, dhe kjo do të thotë të bashkëpunojë në një rreze më të gjerë."