Pekin, mbyllet dialogu për lidhjet ekonomike Kinë-ShBA

2018-05-17 09:07:00 CRI Komenti juaj Printoni

Një takim midis udhëheqësve të biznesit dhe ish-zyrtarëve të lartë nga Kina dhe Shtetet e Bashkuara është mbyllur të mërkurën në Pekin.

Temat e diskutuara gjatë dialogut dyditor përfshijnë fërkimet tregtare Kinë-ShBA, politikat e të dy vendeve, si edhe bashkëpunimin lidhur me nismën "Një brez, një rrugë" dhe ekonominë dixhitale.

Jeremie Waterman, drejtor i Qendrës së Kinës në Dhomën e Tregtisë të ShBA-së, shprehet se problemet e tanishme mund të zgjidhen me anë të një hapjeje më të gjerë të të dy ekonomive:

"Ne mendojmë se rritja e tarifave nuk është e mirë për të dy vendet. Për të zgjidhur problemet, ne duhet t'ia hapim tregun njëri-tjetrit, jo ta mbyllim atë."

Të dy palët kanë diskutuar gjithashtu për bashkëpunimin e mundshëm nëpërmjet Bankës Aziatike të Investimeve Infrastrukturore, në të cilën pala amerikane tani për tani nuk është e përfshirë.

Ish-ambasadori kinez në Shtetet e Bashkuara, Zhou Wenzhong, thekson se bota po përfiton nga hapja e Kinës:

"Politika e Reformës dhe e Hapjes është në të mirë të zhvillimit ekonomik të Kinës, por është gjithashtu e dyanshme. Me vendet e zhvilluara si Shtetet e Bashkuara, duhet të bëjmë përpjekje për të arritur kompromis, që të zgjerojmë dhe të thellojmë bashkëpunimin tonë." (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore