Gjermania mbështet Shqipërinë në procesin e integrimit në BE

2018-04-26 10:14:39 CRI Komenti juaj Printoni

 

Shqipëria ka bërë reforma të rëndësishme, siç është reforma në drejtësi dhe Gjermania do ta mbështesë Shqipërinë në procesin e integrimit të saj në Bashkimin Europian, ka deklaruar të mërkurën kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel në një konferencë të përbashkët për mediat me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama e falënderoi kancelaren që i jep në vazhdimësi Ballkanit Perëndimor në tërësi, edhe Shqipërisë në procesin e zhvillimit demokratik dhe të integrimit europian.

"Sot jam krenar që edhe falë mbështetjes së Gjermanisë, vij këtu, pasi Shqipëria ka kryer një reformë të thellë të drejtësisë, e cila konsiderohet nga Komisioni Europian, qoftë në Paketën e Zgjerimit, qoftë në Raportin e fundit të Progresit, si një model për t'u shtrirë edhe në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, përfshirë dhe vendet që janë aktualisht duke negociuar e ndërkohë, ne kemi nisur me rezultate shumë inkurajuese zbatimin e ligjit të Vetting-ut. Për këto dhe për plotësimin e të gjitha detyrave të shtëpisë në këtë fazë të parë të procesit, kemi marrë rekomandimin pozitiv, pa kushte, nga Komisioni Europian për çeljen e negociatave dhe unë shpresoj shumë se do të marrim dhe mbështetjen e Gjermanisë dhe të kancelares në qershor", theksoi Rama.

Në fjalën e saj, Kancelarja Angela Merkel vlerësoi marrëdhënie dypalëshe shumë të ngushta midis Gjermanisë dhe Shqipërisë. Në vitin 2018 shënohet jubileu i 30-vjetorit të bashkëpunimit ekonomik gjermano-shqiptar.

Gjermania vazhdon të jetë akoma shumë e angazhuar, tha Merkel, për të ardhmen e rajonit (të Ballkanit), ashtu edhe për Samitin e Ballkanit Perëndimor në 17 maj.

"Komisioni më 17 prill ka propozuar që të mund të nisin negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë. Për këtë, ne do duhet të konsultohemi me Këshillin Europian në fund të qershorit. Që të mund të hapen negociatat e anëtarësimit ka një sërë parakushtesh. Shqipëria disa i ka plotësuar fort. Ka parakushte të caktuara për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Gjatë javëve të ardhshme, ne do të krijojmë mendimin tonë përfundimtar, nëse ka akoma disa gjëra që duhen realizuar, apo a është bërë përparim i mjaftueshëm. Për këtë do të flasim edhe me kolegët tanë europianë," tha Merkel. (ATSh/Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore