Xi Jinping dhe Theresa May zhvillojnë bisedë telefonike

2018-04-20 09:50:44 CRI Komenti juaj Printoni

Presidenti i Kinës Xi Jinping zhvilloi të enjten një bisedë telefonike me kryeministren britanike Theresa May.

Gjatë bisedës presidenti Xi vuri në dukje se pala kineze është e gatshme të forcojë koordinimin dhe konsultimet me palën britanike mbi politikën makroekonomike, të ruajë shkëmbime të nivelit të lartë dhe shkëmbime sistematike, të nxitin së bashku bashkëpunimin konkret brenda kornizës "Një brez, një rrugë", duke ofruar më shumë shanse për epokën e artë të marrëdhënieve kino-britanike.

Kina dhe Britania e Madhe janë vende anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe ato duhet të thellojnë vazhdimisht bashkëpunim ndërkombëtar, të luajnë një rol më të madh për krijimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të tipit të ri në bazë të respektit të ndërsjellë, të barabartë dhe të drejtë, duke bashkëpunuar për të mirën e dy vendeve dhe për krijimin e bashkësisë së fateve të përbashkëta të njerëzimit.

Xi dhe May shkëmbyen gjithashtu pikëpamjet edhe për gjendjen në Siri si dhe për çështje të tregtisë ndërkombëtare. Xi theksoi se Kina i kushton shumë rëndësi zhvillimit të gjendjes në Siri dhe është kundër përdorimit të armëve në marrëdhëniet ndërkombëtare. Kina shpreson se do të respektohet sovraniteti dhe tërësia territoriale dhe do të veprohet sipas rregullave të komunitetit ndërkombëtar.

Xi vuri në dukje se Kina dhe Britania e Madhe janë përfituese dhe mbështetëse të globalizimit ekonomik. Kina është e gatshme të punojë së bashku me të gjitha palët, përfshi Britaninë e Madhe, për të mbështetur tregtinë e lirë, për të mbrojtur në mënyrë aktive sistemin tregtar shumëpalësh dhe për të ndërtuar së bashku një ekonomi botërore të hapur.

Nga ana e saj, May u shpreh se edhe pala britanike qëndron në një linjë me palën kineze për mbështetjen ndaj tregtisë së lirë dhe të ekonomisë së hapur.

"Britania është e gatshme të mbajë komunikimin me Kinën për çështjet përkatëse ndërkombëtare dhe rajonale", përfundoi May. (Vera/Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore