Li Keqiang: Kina nuk do të synojë kurrë ekspansionin

2018-03-21 11:09:43 CRI Komenti juaj Printoni

Sesioni i parë i legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës mbylli punimet të martën në Pekin. Në konferencën e shtypit pas mbylljes, kryeministri kinez Li Keqiang tha se sukseset e arritura nga Kina gjatë 40 vjetëve në zhvillimin ekonomik e shoqëror janë të pandara nga procesi i hapjes, politika bazë e vendit. Ai theksoi se Kina do të vazhdojë të mbrojë liberalizimin e tregtisë e të hapë më tej dyert e saj. Shefi i qeverisë kineze tha se Kina nuk do të synojë kurrë ekspansionin, por do të përqendrohet më të gjitha mundësitë në trajtimin siç duhet të çështjeve të veta.   

Sivjet është 40-vjetori i nisjes së Reformës dhe Hapjes së Kinës. Kryeministri Li tha se qeveria kineze do të përpiqet ta bëjë tregun e Kinës me mbi 1.3 miliard banorë një treg me konkurrencë të barabartë për kompanitë e ndryshme kineze dhe të huaja, që t'u ofrojë konsumatorëve kinezë më shumë zgjedhje dhe të nxitë rritjen e cilësisë së produkteve kineze e të sektorit kinez të shërbimeve.

Kryeministri Li tha se: "Ekonomia kineze ka marrë pjesë thellësisht në ekonominë e botës, mbyllja e derës është pengesa e rrugës së vetme. Nga ana e hapjes, Kina ka ende hapësirë të madhe dhe potencial. Kina është e gatshme të vazhdojë të ulë nivelin e përgjithshëm të tarifave për mallrat e importit për një pjesë të mallrave të konsumit, që shiten mirë në treg. Edhe në hapin tjetër, Kina do të lehtësojë hapjen ndaj sektorit të shërbimeve. Kina do të hapë në mënyrë të gjithanshme edhe sektorin e prodhimit, duke mbrojtur të drejtat e pronësisë intelektuale, ndërkohë do të zvogëlohet më tej 'lista negative' për investimet e huaja në Kinë."

Li theksoi gjithashtu se hapja është e ndërsjellë, duke e krahasuar atë me një barkë të drejtuar nga dy veta, e cila mund të ecë normalisht vetëm me bashkimin e forcave të të dyve, përndryshe, duke u ngarë vetëm nga njëri, do të mbetej në vend.

Vitet e fundit, Kina ka kontribuar për më shumë se 30% të rritjes globale, gjë që ka qenë jo vetëm në të mirë të ringjalljes së ekonomisë botërore, por edhe të paqes në botë. Gjatë takimit me gazetarët, Li Keqiang ritheksoi se:

"Së pari, Kina nuk do të synojë kurrë ekspansionin. Kina është një vend në zhvillim dhe nuk ka interes për ekspansion. Edhe nëse në të ardhmen Kina do të fuqizohet edhe më shumë, ajo nuk do të ndjekë rrugën e hegjemonizmit, por do të kërkojë t'i zhvillojë marrëdhëniet me vendet e ndryshme mbi bazën e respektit, barazisë e përfitimeve të ndërsjella, për të krijuar bashkësinë e fateve të përbashkëta të njerëzimit. Ne kemi prezantuar nismën 'Një brez, një rrugë' me konsultim, ndërtim dhe përfitim të përbashkët. Ndihma jonë ndaj vendeve të pa zhvilluara është pa ndonjë kusht politik. Së dyti, ne do të fokusohemi në punët tona të brendshme për të krijuar më shumë mundësi për zhvillimin e Kinës."

Si dy ekonomitë më të mëdha të botës, Kina dhe ShBA-ja duhet t'u kushtojnë vëmendje marrëdhënieve tregtare. Kryeministri Li Keqiang theksoi se lufta tregtare kino-amerikane nuk sjell përfitime për asnjë palë dhe se askush nuk mund të dalë i fituar nga kjo luftë. (Fang Xiaoyu)

Mrekulli
Lajmet Kryesore