Ambasadorja Jiang Yu shoqëron kryeministrin Rama gjatë vizitës në kompaninë me investime kineze

2018-03-20 09:25:10 CRI Komenti juaj Printoni

Ambasadorja e Kinës Jiang Yu e shoqëroi kryeministrin shqiptar Edi Rama gjatë vizitës të hënën në fabrikën e këpucëve me investime kineze "Euroasia Footwear". Të pranishëm në këtë vizitë ishin gjithashtu zyrtarët e Shërbimit Kombëtar të Punësimit.

Kompania "Euroasia Footwear", që ndodhet në Kamzë, është një ndërmarrje e prodhimit të këpucëve në bashkëpunim trepalësh Kinë-Shqipëri-Evropë, e cila prodhon për marka të njohura në tregjet europiane, kryesisht në Spanjë, Gjermani dhe Britaninë e Madhe. Kryeministri Rama dëgjoi prezantimin nga përgjegjësi i kompanisë Sun Weijun për gjendjen e tanishme dhe planin e zhvillimit të fabrikës, dhe vizitoi reparte e linja prodhimi. Kryeministri vlerësoi sukseset e arritura nga fabrika dhe veçanërisht kontributin e saj në shtimin e vendeve të punës dhe në ndihmën ndaj familjeve të varfra. Rama tha se gjatë vetëm një viti të funksionimit, fabrika ka punësuar afro një mijë punëtorë, pjesa kryesore e të cilëve më parë merrnin ndihmë ekonomike. "Ndihma ekonomike nuk duhet të bëhet normë. Zëvendësimi i ndihmës shoqërore me punësimin, nëpërmjet bashkëpunimit midis kompanive dhe Shërbimit Kombëtar të Punësimit, është objektivi kryesor i qeverisë shqiptare në ndihmë të familjeve të varfra. Kompania 'Euroasia' shërben si shembull shumë i mirë në këtë drejtim," tha kreu i qeverisë së Shqipërisë.

Përfaqësuesit e palës kineze u shprehën se zhvillimi i qëndrueshëm i kompanisë "Euroasia" është pasqyrim i thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit pragmatik midis Kinës dhe Shqipërisë, si dhe rezultat konkret i nismës "Një Brez, Një Rrugë" dhe i mekanizmit të "Bashkëpunimit 16+1" për nxitjen e tregtisë e përmirësimin e jetesës së banorëve vendës. Ajo përbën gjithashtu një kërkim aktiv të mënyrave të bashkëpunimit trepalësh Kinë-Shqipëri-Europë. Qeveria kineze i nxit kompanitë e fuqishme dhe prestigjioze kineze të investojnë në Shqipëri, që të krijojnë komunitetin e bashkëpunimit me leverdi të ndërsjellë dhe përfitime të përbashkëta. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore