2018-03-20 12:58:47 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Në një konferencë për shtyp të martën në Pekin, kryeministri kinez Li Keqiang tha se sukseset e arritura nga Kina gjatë 40 vjetëve në zhvillimin ekonomik e shoqëror janë të pandara nga procesi i hapjes, politika bazë e vendit. Ai theksoi se Kina do të vazhdojë të mbrojë liberalizimin e tregtisë e të hapë më tej dyert e saj.
Li Keqiang tha se Kina është e gatshme të vazhdojë të ulë nivelin e përgjithshëm të tarifave për mallrat e importit. Për një pjesë të artikujve të konsumit, që shiten mirë në treg, Kina do të ulë në përmasa të mëdha përqindjen e taksave, ndërsa për ilaçet kundër kancerit shumë të kërkuara nga të sëmurët, do të përpiqet të heqë taksat. Kina do të lehtësojë më tej hyrjen në sektorin e shërbimeve, si në përkujdesjen për të moshuarit, shëndetësi, arsim, financa etj., dhe në disa drejtime në këto shërbime do të lehtësohen e madje do të hiqen kufizimet në përqindjen e aksioneve me investime të huaja. Kina do të hapë në mënyrë të gjithanshme edhe manifakturën, duke mbrojtur të drejtat e pronësisë intelektuale. Ndërkohë, do të zvogëlohet më tej "lista negative" për investimet e huaja në Kinë.
Kryeministri Li tha se qeveria kineze do të përpiqet ta bëjë tregun e Kinës me 1.3 miliardë popullsi një treg me konkurrencë të barabartë për kompanitë e ndryshme kineze dhe të huaja, që t'u ofrojë konsumatorëve kinezë më shumë zgjedhje dhe të nxitë rritjen e cilësisë së produkteve kineze e të sektorit kinez të shërbimeve.
Li theksoi gjithashtu se hapja është e ndërsjellë, duke e krahasuar atë me një barkë të drejtuar nga dy veta, e cila mund të ecë normalisht vetëm me bashkimin e forcave të të dyve, përndryshe, duke u ngarë vetëm nga njëri, do të mbetej në vend. (Wang Lei)