2018-03-19 09:41:51 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Yang Xiaodu u zgjodh kryetar i Komisionit Kombëtar të Mbikëqyrjes të dielën, gjatë sesionit të parë të legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës.
Ai është kryetari i parë i Komisionit Kombëtar të Mbikëqyrjes, një agjenci kombëtare, pjesë e një rrjeti të ri organesh të antikorrupsionit e mbikëqyrjes, krijimi i së cilës u miratua me një amendament kushtetues rreth një javë më parë.
Yang Xiaodu, i lindur në vitin 1953, është anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe zv.sekretar i Komisionit Qendror për Kontrollin e Disiplinës të PKK-së.
Në Kushtetutën e rishikuar, të miratuar nga Asambleja Kombëtare Popullore e Kinës më 11 mars, renditen për herë të parë komisionet mbikëqyrëse si një pjesë e re e organit shtetëror.
Si organi më i lartë mbikëqyrës, Komisioni Kombëtar i Mbikëqyrjes ka në varësi komisionet vendore, të cilat kanë një strukturë të ngjashme me të.
Zgjedhja e Yang Xiaodu-së shënon një hap të rëndësishëm për reformën e sistemit të mbikëqyrjes në Kinë. (Haris)