Miratohet emërimi i Li Keqiang-ut për postin e kryeministrit të Kinës

2018-03-19 09:00:47 CRI Komenti juaj Printoni

Li Keqiang u votua si kryeministër i Kinës në sesionin e parë të legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës (AKPK).

Rreth 3,000 deputetë të AKPK-së votuan për të miratuar emërimin e kryeministrit Li Keqiang, bërë nga presidenti i sapozgjedhur Xi Jinping.

Li u emërua zyrtarisht si kryeministër pas nënshkrimit nga presidenti Xi të dekretit të tij të parë presidencial të dielën në mëngjes.

Më pas, kryeministri Li bëri betimin për besnikëri ndaj ligjit themelor të vendit.

"Unë premtoj besnikërinë time ndaj Kushtetutës së Republikës Popullore të Kinës, për të ruajtur autoritetin e Kushtetutës, për të përmbushur detyrimet e mia ligjore, të jem besnik ndaj vendit dhe popullit, të jem i përkushtuar dhe i ndershëm në detyrën time, pranoj mbikëqyrjen e popullit dhe do të punoj për të ndërtuar një vend të madh modern socialist që është i begatë, i fortë, demokratik, i kulturuar, harmonik dhe i bukur"

Ky është mandati i tij i dytë në këtë post. Në vitin 2013, ai u bë kryeministri i shtatë që nga themelimi i Republikës Popullore të Kinës në vitin 1949.

Li Keqiang u rizgjodh në Komitetin e Përhershëm të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së në vitet 2012 dhe 2017.

Në sesionin parlamentar të së dielës, deputetët votuan gjithashtu për emërimin e nënkryetarëve të Komisionit Qendror Ushtarak dhe zgjodhën drejtorin e Komisionit Kombëtar të Mbikëqyrjes, kryetarin e Gjykatës së Lartë Popullore, Prokurorin e Përgjithshëm të Prokurorisë Popullore dhe anëtarë të Komitetit të Përhershëm të legjislaturës së 13-të të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore