Rusia i quan "provokim" masat e Britanisë pas sulmit ndaj agjentit rus

2018-03-15 08:44:21 CRI Komenti juaj Printoni

Ambasadori i Rusisë në Mbretërinë e Bashkuar e quan "provokim" qëndrimin e Londrës në lidhje ndaj sulmit me gaz nervor kundër një agjenti rus.

Ambasadori Alexander Yakovenko i bëri komente pas thirrjes të mërkurën nga Ministria e Jashtme britanike.

"Ne besojmë që Mbretëria e Bashkuar duhet të ndjekë ligjin ndërkombëtar dhe, në bazë të detyrimeve që kanë ndaj organizatës për mospërhapjen e armëve kimike, ata duhet të paraqesin një kërkesë në këtë organizatë dhe pastaj ne do të ishim të lumtur ta shqyrtonim atë brenda dhjetë ditësh," tha ai.

Ministria e Jashtme ruse ka dënuar ashpër masat e njoftuara nga kryeministrja britanike Theresa May kundër Rusisë mbi përfshirjen e hamendësuar të Moskës në helmimin e Sergei Skripalit, një ish-agjent rus i dënuar për spiunazh për Britaninë, dhe vajzës së tij Yulia.

Këto masa përfshijnë dëbimin e 23 diplomatëve rusë brenda një jave, ngrirjen e pasurive shtetërore ruse në Mbretërinë e Bashkuar dhe pezullimin e të gjitha kontakteve të nivelit të lartë të planifikuara mes dy vendeve.

Në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, zëvendësambasadori i Britanisë Jonathan Allen tha se kishte "gjasa të mëdha që Rusia ishte përgjegjëse" për sulmin ndaj Skripalit.

Moska shpërfilli afatin që i kishte dhënë Londra për të shpjeguar se si agjenti nervor "Novichok", i prodhuar në ish-Bashkimin Sovjetik, ishte përdorur në tokën britanike.

Skripali dhe vajza e tij vazhdojnë të jenë në gjendje të rëndë në një spital në Salisbury, pasi u gjetën në një gjendje të pavetëdijshme më 4 mars.

Mrekulli
Lajmet Kryesore