2018-03-14 18:51:42 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Analistët në Kinë kanë vlerësuar vendimin e ligjvënësve kinezë për t'i ngritur komisionet e mbikëqyrjes në nivel organesh shtetërore të pavarura. Kjo masë është pjesë e një amendimi të Kushtetutës, të miratuar nga Asambleja Kombëtare Popullore këtë javë.
Sipas Kushtetutës së rishikuar, komisionet mbikëqyrëse përfshihen në të njëjtin nivel me organet shtetërore administrative, gjyqësore dhe të prokurorisë. Të gjitha këto organe krijohen e mbikëqyren nga Asambleja Kombëtare Popullore dhe japin llogari përpara saj.
Jia Qingguo, dekan i Shkollës së Studimeve Ndërkombëtare në Universitetin e Pekinit, mendon se një gjë e tillë do të përmirësojë efikasitetin e fushatës kundër korrupsionit në Kinë:
"Kjo ndërthur punën e Komisionit Qendror të Disiplinës të PKK-së, të Ministrisë së Mbikëqyrjes dhe të Zyrës së Antikorrupsionit. Detyrat e këtyre institucioneve janë të ndërthurura. Kështu, do të ketë një organ të njësuar që do të merret me këto çështje. Besohet se kjo është rruga që duhet ndjekur për t'i bërë luftën kundër korrupsionit dhe zbatimin e politikave më efektive."
Komisionet e mbikëqyrjes tani janë ngritur në nivel kombëtar, province, bashkish dhe komunash.
Si organi më i lartë mbikëqyrës, Komisioni Kombëtar i Mbikëqyrjes do të ketë në varësi komisionet vendore dhe do të përgjigjet përpara Asamblesë Kombëtare Popullore dhe Komitetit të Përhershëm të saj.
Komisionet e mbikëqyrjes do të ushtrojnë në mënyrë të pavarur kompetencat e tyre dhe nuk do të jenë subjekt i ndërhyrjes nga ndonjë organ administrativ, organizatë publike ose individ. (Artan Goga)